Kryeminstri Albin Kurti ka prezantuar buxhetin e Kosovës për vitin 2025.
Kurti para deputetëve tha se Qeveria e tij ndryshe nga të tjerët u sigurua që buxheti të orientohej aty ku kthimi ishte më i larti te qytetarët.
“Buxheti është projektuar të jetë 3.6 miliardë euro, apo për 9 % më i lartë sesa ai i vitit 2024. Këto katër vite kaluam nëpër shumë sfida globale dhe të brendshme. Por për dallim nga të tjerët para nesh, u siguruam që buxheti të orientohej aty ku kthimi ishte më i larti te qytetarët tanë. Duke e bërë këtë, vit pas viti rritej edhe buxheti, pa ndryshuar asnjë politikë tatimore sepse investimi në qytetarët tanë vazhdonte të kthente rritje të qëndrueshme”, tha ai.
Sipas Kurtit, është rritur buxheti për paga dhe shtesa, mallra dhe shërbime si dhe kategoritë tjera.
“Karakteristikat e buxhetit 2025 janë me sa vijon: Buxheti për paga dhe shtesa, 13.85 % më i lartë se më 2024 ose 111.5 milionë euro; buxheti për mallra dhe shërbime duke përfshirë edhe shërbimet komunale është 3.2 % më i lartë se më 2024; buxheti për subvencione dhe transfere është 8.75 % më i lartë se më 2024 e këtu luajnë rol pensionet, shtesat për fëmijë etj dhe buxheti për investime kapitale është 8.3 % më i lartë se më 2024. Për këto vite të qeverisjes bruto-produkti vendor është rritur aq sa për herë të parë sivjet do ta kalojë shifrën prej 10 miliardë euro, kurse për vitin e ardhshëm pritet të shkojë përtej 11 miliardë euro”, shtoi ai.