Prioritet i qeverisë së re do të jetë zhvillimi ekonomik që punëson dhe integron, të gjithë dhe pa dallime, ka thënë lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ai së bashku me anëtarin e Kryesisë, Xhelal Sveçla, kanë takuar Kryetarin e Partisë Egjiptiane (IRDK), Elbert Krasniqi, të shoqëruar nga ekipi i tij, Xhevdet Neziraj, Fazli Stollaj dhe Fridon Lala, ka njoftuar Vetëvendosje.
Njoftimi i plotë:
Kryetari i Lëvizjes, z. Albin Kurti, së bashku me anëtarin e Kryesisë, z. Xhelal Sveçla, priti sot në takim Kryetarin e Partisë Egjiptiane (IRDK), z. Elbert Krasniqi, të shoqëruar nga ekipi i tij, z. Xhevdet Neziraj, z. Fazli Stollaj dhe z. Fridon Lala.
Në këtë takim miqësor, biseduam për procesin dhe rezultatin zgjedhor, çertifikimin e rezultateve finale që po e presim për të filluar me formimin e institucioneve të reja, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit drejt një shtetndërtimi demokratik me progres socio-ekonomik për të ardhmen, që nuk diskriminon asnjëri e i jep shansë secilit.
Kryetari Kurti e njoftoi z. Krasniqi që prioritet i qeverisë së re do të jetë zhvillimi ekonomik që punëson dhe integron, të gjithë dhe pa dallime, si dhe sundimi i ligjit, përkatësisht hetimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë institucional.
Me vende pune, drejtësi, dhe politika që trajtojnë pabarazinë në shoqëri, Kurti tha se do të hapen mundësi të reja të komunikimit e bashkëpunimit mes qytetarëve dhe komuniteteve që jetojnë në Kosovë.