Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka prezantuar sot para kabinetit qeveritar Projektbuxhetin për vitin 2026, duke e cilësuar atë si buxhet me “shumë risi”.
Sipas Kurtit, buxheti për vitin e ardhshëm do të jetë me vlerë 4 miliardë euro, nga të cilat rreth 1 miliard euro do të dedikohen për investime kapitale. Një ndër risitë kryesore të këtij buxheti është paga e 13-të për punonjësit e sektorit publik.
“Edhe ky buxhet do të ketë shumë risi. Së pari, është buxhet në vlerë prej 4 miliardë eurosh, ku një e katërta apo rreth 1 miliard janë buxhetuar për investime kapitale. Një risi do të jetë dhënia e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik,” tha Kurti.
Ai shtoi se në buxhetin e vitit 2026 është përfshirë edhe zbatimi i rritjes së pagës bazë me 0.5% për çdo vit përvojë pune, për dallim nga skema e mëparshme që parashihte 0.25% për 15 vitet e para.
“Është i përfshirë edhe zbatimi i rritjes së pagës bazë me 0.5% për çdo vit përvojë pune, për dallim nga ajo që kemi pasur më herët, ku zbatohej rritja vetëm 0.25% për 15 vjetët e para,” deklaroi ai.
Kryeministri në detyrë njoftoi se buxheti përfshin edhe rritje të pensioneve, shtesa për fëmijë dhe lehona, pagesa për gratë e angazhuara përmes programit “Superpunë”, si dhe reformën e asistencës sociale.
“Me këtë buxhet rritet mbështetja për barnat esenciale, por edhe për kulturën dhe sportin,” shtoi Kurti.
Ai paralajmëroi gjithashtu ndryshime për sektorin privat dhe për pensionistët.
“Kemi lajm të mirë edhe për sektorin privat. Kemi propozim për rritje të pagës minimale që do të ndikojë te 150 mijë të punësuar. Ka lajme të mira edhe për pensionistët, sepse pensioni bazë nga 120 euro do të bëhet 150 euro. Kam premtuar që do të ketë lajm të mirë edhe për nënat – nga muaji nëntor shtesat për të gjithë fëmijët do të rriten për 50 për qind,” u shpreh Kurti.
Në fund, ai njoftoi se Projektbuxheti 2026 do t’i dërgohet sot Kuvendit për shqyrtim, duke përfshirë edhe ndarjet buxhetore për komunat Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok.

 
			









 
                                
                              
		