Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në hapjen e Samitit të parë Rajonal për Mbrojtje nga Diskriminimi Racor, premtoi mbështetje për komunitetet në të gjitha segmentet, në arsim, punësim dhe mbi të gjitha në mbrojtje kundër diskriminimit.
Në hapjen e këtij samiti që organizohet nën udhëheqjen e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Kurti foli për përmirësimi e gjendjes së komuniteteve në vendin tonë, veçmas për atë të komunitetit romë, ashkali dhe egjiptian.
Ai bëri të ditur se për këtë qëllim qeveria ka ndarë bursa për 100 nxënës të këtij komuniteti për studim në Fakultetin e Edukimit, që në të ardhmen të kenë mundësi të japin mësim për fëmijët e të gjitha komuniteteve gjithandej vendit. Veç kësaj, kryeministri Kurti tha se janë ndarë 500 bursa për studentët romë, shkali e egjiptian edhe për studime tjera.
Tutje, kryeministri Kurti foli edhe për punësimin e komuniteteve, me ç’rast është vendosur të themelohet një mekanizëm për nxitjen, promovimin dhe bashkërendimin institucional të punësimit për komunitetet RAE në institucionet publike, duke mundësuar edhe zbatimin e programit për 100 praktikantë me prioritet për këto komunitete.
Sipas tij, edukimi dhe punësimi janë të lidhur ngushtë me njëri -tjetrin e motor i integrimit.
“Jam me shpresë që rritja e jonë ekonomike dhe mbështetja e jonë për edukimin do t’i japin rrugë ndryshimeve të gjithmbarshme pozitive, të cilat nuk e përjashtojnë askënd e nuk lënë asnjeri mbrapa”, tha kryeministri Kurti në samitin parë Rajonal për Mbrojtje nga Diskriminimi Racor, transmeton RTKlive.
Kurti më tej foli për diskriminimin, që, sikundër tha ai, ngelet në heshtje, nuk raportohet dhe për ta luftuar këtë dukuri, ai njoftoi se është lansuar një mekanizëm, një platformë digjitale për mbrojtje nga diskriminimin për komunitetet romë, shkali, egjiptian, që është lansuar nga Zyra për qeverisje të mirë në kuadër të Kryeministrisë.
Duke inkurajuar pjesëtarët e komuniteteve, kryeministri Kurti ftoi që krahas raportimit ta shfrytëzojnë këtë platformë, sepse kjo do ta lehtësonte rrugën drejt zgjidhjeve të çështjeve të ngritura nga qytetarët tanë, ngase siç tha ai, barazia e qytetarëve është e garantuar në Republikën e Kosovës.
“Duke qenë të barabartë jemi bashkë. E kuptoj që kemi dallime, pranoj dhe afirmoj edhe diversitetin, por duhet ta respektojmë solidaritetin. Jemi solidar me atë që është në betejë që përpiqet për të drejta e liri kundër diskriminimit. Fakti që njerëzit janë të ndryshëm nuk do të thotë që njerëzit nuk janë të barabartë, pikërisht pse jemi të ndryshëm duhet të jemi të barabartë”, tha në fund të fjalës së tij, kryeministri Kurti./rtklive/