Autostrada Prishtinë–Gjilan ka mbetur e papërfunduar gjatë qeverisjes së Kurti, por kryeministri në detyr ë përsëri premton se do ta përfundojë këtë projekt. Gjatë një mbledhjeje të Lëvizjes Vetëvendosje, ku u mandatua si kryeministër, Kurti foli sërish për këtë autostradë, si dhe për disa rrugë të tjera që synon të ndërtojë.
“Do të përfundojmë ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, autostradën Prishtinë-Gjilan me vazhdim deri tek Dheu i Bardhë dhe autostradën Duhle-Shtime-Banullë. Po ashtu do të ndërtojmë rrugën e Dukagjinit që lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën, Deçanin me Pejën e Istogun. E do të vazhdojmë me ndërtimin e rrugëve Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë”, tha Kurti ndër të tjera.
Premtimi për autostradën Prishtinë-Gjilan është dëgjuar shpesh ndër vite, por ndërtimi i saj vazhdon të mbetet i papërfunduar.
Përveç këtij projekti, Kurti përmendi edhe përmirësime të synuara në fusha të tjera si shëndetësia, arsimi dhe reformat institucionale.
Ai theksoi se mandati i ardhshëm do të fokusohet në investime të mëdha infrastrukturore dhe zhvillimore për të gjithë vendin.