Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i la me veç 170 euro në muaj veteranët e Kosovës duke iu premtuar se kjo do të ishte vetëm një fazë tranzitore, derisa të pastroheshin listat nga falsifikatorët dhe kështu të futej në fuqi ligji i ri e të rriteshin të ardhurat për ta, të pakën në nivelin e pagës minimale.
Edhe pak muaj përfundon mandati i Kurtit e lëvizje në drejtim të pastrimit të listave nuk ka fare, derisa ligji i ri për Pagën Minimale, apo siç njihet zyrtarisht, “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale”, ka mbetur në Gjykatë Kushtetuese, meqë opozita dyshon se është anti-kushtetues.
Në anën tjetër, Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë përfshirë në Ligjin i ri për pagën minimale, i cili u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga opozita – derisa pushteti edhe pse kishte premtuar se do ta hartojë një ligj të veçantë për veteranët, kjo gjë nuk ka ndodhur ende, derisa kësaj Qeverie të udhëhequr nga Albin Kurti – mandati i skadon vitin tjetër.
Aziz Bici, këshilltar politik i kryeministrit Kurti dhe drejtor i Zyrës për Çështje të Kategorive të Dala nga lufta e UÇK-së, as zyra për media e Qeverisë nuk janë përgjigjur kur janë pyetur për këtë çështje nga Albanian Post.
As deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, në një bisedë për AP, ka thënë se nuk është i informuar se çfarë ka ndodhur me ligjin në fjalë – por thotë se Qeveria do ta bëjë të pamundurën që veterani i UÇK-së të jetë i shpërblyer për kontributin.
“Veterani i UÇK-së do të jetë i përfaqësuar, edhe i shpërblyer për kontributin e jashtëzakonshëm. Edhe unë kam qenë interesuar ta di çfarë ka ndodhur me ligjin, por nuk kam asnjë informacion nga zotëri Bici. Patjetër qe duhet të bëhet ligji i ri për veteranët, meqë meritojnë trajtim më të mirë dhe dinjiztoz”, tha Dugolli.
Ndërkaq ish-drejtori i zyrës për çështje të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, Gazmend Syla, thotë se nëse do të përfshiheshin kërkesat e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, do ta pranonin Ligjin e ri për veteranët, por i akuzuan ligjvënësit e pushtetit se kanë bashkëpunuar me kriminelin Milan Radojiçiç që veteranët të përjashtohen nga paga minimale.
“Po, nëse përfshihen kërkesat e luftëtarëve do e mbështesin hartimin e një ligji të ri, por Kurti dhe Vetëvendosja, në bashkëpunim me Listën Serbe, kanë votuar një ligj, që veteranët të përjashtohen nga paga minimale. Nga kjo qeveri ne nuk presim asgjë pozitive për kategoritë e lirisë. Qëndrimet e tyre për ne, përputhen me ato të Listës Serbe dhe Radojiçiçit”, ka theksuar Syla.
Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, thotë se pa e dhënë verdiktin e saj Gjykata Kushtetuese për Ligjin për Pagën minimale, Qeveria nuk mund të bëjë asgjë për Ligjin e ri për veteranët.
“Qe dy vite nuk kemi kontakt me Qeverinë, Ligj të ri nuk munden të bëjnë pa vendos Gjykata Kushtetuese për Ligjin për pagën minimale, ata veç përralla munden me tregu. Kjo është më shumë fushatë elektorale, vetëm munden ta mashtrojnë publikun”, potencoi Klinaku.
Ligji i ri për pagën minimale parasheh ndryshimin e Ligjit për veteranët, asisoj që, siç thuhet, “deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranëve qeveria e Kosovës, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj”.
Dy vite më parë, pas protestave disa ditore të veteranëve para Qeverisë – kryeministri Albin Kurti, u kishte bërë thirrje për takim në zyrën e tij, por edhe pas dy orësh diskutime nuk ishte arritur asnjë pajtim me Klinakun.
Ndërkaq gjatë një debati në RTK në vitin 2022, Kurti pati thënë se me shifrën prej 60 mijë veteranësh, “ne po e deformojmë historinë”.
“Nuk ka teori mbi 20 mijë veteranë të luftës. Mund të kenë qenë pjesëmarrës në luftë, pjesëmarrës ndoshta janë 60 mijë, ndoshta edhe mbi 60 mijë, po veteranë nuk mund ta jenë më shumë se 20 mijë”, kishte thënë kryeqeveritari.
Ndryshe, veteranët nuk janë përfshirë në Ligjin i ri për pagën minimale. Deri tash, pensioni i tyre ishte i lidhur me pagën minimale, që ishte 170 euro. Tash, paga minimale është rritur në 264 euro, por vetëm për punëtorët.