Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar mosftesën e SHBA-së për Kosovën në Samitin e Demokracisë që pritet të mbahet virtualisht më 9 dhe 10 dhjetor. Samiti është i pari i këtij lloji dhe është thirrur nga Presidenti amerikan Joe Biden.
Kurti thotë se marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë të thella dhe thotë se nuk mbahen prej fijes së perit. Ai po ashtu thotë se mosftesa nuk paraqet problem dhe se nuk është fundi i botës.
“Aty ku nuk më keni parë ende do të më shihni. Ne kemi ende vetëm 7 muaj e gjysmë në qeverisje. Do të ketë kohë të mjaftueshme për të më parë ku nuk më keni parë. Janë disa gjëra që për bindjen time janë më të palëkundeshme. Sic është partneriteti dhe aleanca me SHBA-në. Nuk është dicka që mbahet prej fijes së perit, është më e thellë. edhe nëse nuk na ftojnë në ndonjë konferencë nuk besoj se paraqet ndonjë problem. Ka shumë konferenca. Virtuale dhe fizike. Edhe nëse nuk e kam gabim quhet samiti për demokracisë. Nuk është as pikëpamja e SHBA se cka është demokratike e cka jo sa u përket shteteve tjera dhe nuk është vlerësim as qëndrim specifik për Kosovën. Përkundrazi ambasada e SHBA-së e sqaroi shumë mirë këtë gjë”, tha Kurti në ATV.
Kurti po ashtu komentoi edhe letrën e shoqërive civile të Kosovës, që kanë kërkuar të përfshihet edhe Kosova në Samitin e Demokracisë. Në atë letër thuhet se përkundër ngecjeve, Kosova qëndron shumë më mirë se disa shtete tjera që janë ftuar sa i përket demokracisë.
“Nuk e di, por nëse na ftojnë në konferencë, nëse mund të korrigjohet, dakord do të marrim pjesë. Po e përsëris edhe një herë, nuk është fundi i botës që nuk na thirrën me një konferencë. Partneriteti ynë është shumë i thellë”, thotë Kurti.