Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një bashkëbisedim me Ditmir Bushatin në episodin e radhës të emisionit të tij “Public Square”, ka folur për raportet me SHBA-në.
Kurti ka thënë se nuk pret nga Amerika ta shohë Serbinë sikurse e sheh Kosova, mirëpo sipas tij edhe pritjet e SHBA-së nuk duhet të jenë aq të larta.
“Amerikanët nuk duhet të presin që unë ta shoh Beogradin zyrtar me sytë e Departamentit të Shtetit. Unë kam qenë rob lufte, i burgosur politik dhe e di historinë e serbëve dhe shqiptarëve. SHBA dhe Serbia kanë njohje reciproke. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, SHBA janë dëshmitare, nuk janë viktima. Prandaj unë Serbinë e njohë më mirë dhe nuk mund ta kem as të njëjtin qëndrim e as ndjeshmëri sikurse Departamenti i Shtetit. Raportet tona duhet të jenë si të aleatëve por qëndrimet tona nuk duhet të jenë të njëjta”, ka deklaruar ai.
Kurti ka thënë se paraardhësit e tij e kanë vështirësuar pozicionin e tij në ndërtimin e raporteve me ndërkombëtarët.
“Ambiciet e mia për kombin shqiptar janë më të mëdha se të SHBA-së dhe BE-së”, ka deklaruar mes tjerash Kurti.
Ndryshe, Kurti ka theksuar se politika e viteve të ’90 ka qenë tejet pasive për të qenë rezistencë. Ai ka folur edhe për fillimin e angazhimit të tij politik asokohe.
“Angazhimin tim politik unë e kam filluar në protesta studentore. Pra, fillimisht si aksion. Do thosha si një lloj përpjekje e studentëve të Universitetit të Prishtinës që u ngritën, së pari, për lirimin e objekteve dhe hapësirës universitare, gjithashtu edhe për lirinë e popullit dhe për pavarësinë e Kosovës. Në Qershor të vitit 1991, të gjithë studentët e Universitetit të Prishtinës ishin dëbuar nga universiteti së bashku me profesorët e tyre. Kjo ishte arsyeja se pse ne për gati një dekadë ndodheshim në objektet private, ku i kishim shndërruar ato në shtëpi-shkolla dhe në shtëpi-universitet. Paralelisht me këtë edhe prindërit tanë ishin dëbuar nga vendet e tyre të punës. Nga fabrikat, spitalet, nga të gjitha institucionet publike shtetërore. Ishte koha e aparteidit në Kosovë, ku të ishe qytetar shqiptar do të thotë të ishe qytetar i rendit të dytë, do të thotë të mos ishe fare qytetar. Të ishe i shtypur dhe i shfrytëzuar sipas përkufizimit. Vrasja e shqiptarëve nuk paraqiste krim në atë kohë.
Prandaj, kishte shumë vrasje të shqiptarëve për të cilët vrasësit nuk mbanin asnjë orë burg. Në këto kushte unë isha student dhe më dukej që politika e atëhershme bënte rezistencë paqësore, pasive, që disi, ishte tejet pasive për të qenë rezistencë. Ne filluam ta ri-dimensionojmë rezistencën asokohe ku me protesta dhe demonstrata filluam ta bëjmë rezistencën paqësore aktive. Por, shumë shpejt shpërtheu lufta në Kosovë dhe ishte e qartë që faktorët ndërkombëtare nuk do të bënin sehir sikurse në rastin e Kroacisë dhe Bosnje-Hercegovinës”, ka thënë ai.