Për kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sikurse dikur decentralizimi etnik, sot Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe “shkëmbimi territorial”, janë emra të ndryshëm të përpjekjes së njëjtë të Beogradit për ndarjen e Kosovës.
Për këtë mendim Kurti në llogarinë e tij në “Facebook”, thotë se u ndikua nga libri që është duke e lexuar, “Standardet dhe Statusi”, i shkruar nga Joachim Ruecker.
“Në lidhje me çështjen e decentralizimit, e cila ishte shumë e diskutueshme, plani kërkoi të pajtojë kërkesat e kundërta. Fillimisht, Koshtunica kërkoi ndarjen e plotë të Kosovës, e cila parashikonte copëtimin e saj territorial përgjatë vijave etnike. Kjo kërkesë u rrëzua gjatë negociatave dhe në vend të kësaj Beogradi propozoi krijimin e 12 komunave me shumicë serbe në Kosovë, pjesërisht të lidhura gjeografikisht, me një nivel të lartë të autonomisë, lidhje të forta ndër-komunale dhe lidhje të drejtpërdrejta institucionale me Beogradin”, shkruan Kurti derisa porosit se projektet e Serbisë janë të vjetra, por se me koncesione të reja, sipas tij, “Kosova po shtyhet prapa”.