Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidat i kësaj partie për kryeministër, Albin Kurti, sot është regjistruar si deputet në Kuvendin e Kosovës.
“Unë sa e bëra regjistrimin si deputet i Kuvendit dhe uroj që të na shkojë mbarë të gjithëve. I uroj edhe të gjithë deputetët tjerë që janë zgjedhur dhe dëshiroj të bashkëpunojë sa më shumë, të komunikojme rregullisht për të mirën e shtetit”, tha ai.
Pas regjistrimit në një deklaratë për medie Kurti foli edhe për bashkëpunimin me LDK-në për arritjen e marrëveshjes për koalicionin qeverisës.
“Po përpiqemi çdo ditë, madje ditë e natë, me komunikime të rregullta që sa më parë të vijmë te marrëveshja përfunduimtare për koalicionin e ardhshëm qeverisës, në bosht të së cilës marrëveshje natyrisht ndodhet programi i përbashkët tashmë i harmonizuar e të cilit do t’i bashkangjitet edhe ndarj e funksioneve në ekzekutivin e ardhshëm. Këto takime do të vazhdojnë për çdo ditë”, deklaroi Kurti.
Ndonëse nuk përmendi se a do të zhvillojë takim gjatë ditës së sotme me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën, Kurti tha se shpreson që me të të arrijnë ta bëjnë koalicionin para datës së caktuar nga presidenti Thaçi për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit.
“Prej herës së fundit me Mustafën jemi dakorduar që komunikim ta kemi shumë herë gjatë ditës e takimet t’i kemi të përditshme në mënyrë që sa më parë ta rrumbullaksojmë këtë marrëveshje të koalicioit qeverisës. Ne e dimë që tashmë e kemi seancën e Kuvendit për datën 24 dhjetor, pra na ndajnë vetëm 11 ditë por shpresoj e uroj që të mos i kemi 11 ditë të nevojshme që ta rrijmë këtë marrëveshje”, ka përfunduar ai./Zëri