Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin, sot do të mbajë mbledhjen e radhës.
Zyra e Kryeministrit njofton se mbledhja do të fillojë në orën 18:00, shkruan Reporteri.net.
Pas dakordimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Asociacionit të Komunave të Kosovës, Gazeta mëson se Qeveria sot do të marrë vendim për lehtësimin e masave anti-COVID.
Në takimin virtual të AKK-së me MSH-në, është marrë vendim të hiqet ora policore e po ashtu do të lejohet organizimi i ahengjeve dhe të zgjatet orari i gastronomisë.
Lirimi i masave erdhi pas rënies drastike të numrit të rasteve të reja pozitive me coronavirus dhe numri i pacientëve të vdekur si pasojë e infeksionit.
Ndryshe që nga 29 marsi ka filluar edhe procesi i vaksinimit.
I pari që u vaksinua ishte kryeministri i Republikës, Albin Kurti, për të vazhduar më pas me personelin shëndetësor, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.
Ndërkohë mbrëmjen e së enjtes, në vend kanë arritur mbi 100 mijë doza të vaksinës anti-COVID Pfizer si donacion nga aleanca COVAX.