Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim Kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli.
Të drejtat dhe kërkesat e punëtorëve, bashkëpunimi sindikal dhe paga minimale, e cila tashmë ka kaluar leximin e parë në kuvend, ishin çështjet kryesore, të cilat u diskutuan gjatë takimit.
Hykolli, e njoftoi Kryeministrin për angazhimin e BSPK-së në bashkëpunimet evropiane dhe ndërkombëtare sindikaliste.
Kryeministri Kurti falënderoi z. Hykolli për angazhimin e tij dhe për bashkëpunimin e deritanishëm, duke u dakorduar që të mbajnë komunikim të rregullt në vazhdimësi.