Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antalia të Turqisë ka takuar Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Kurti ka thënë se ka kërkuar nga Borrell të mos e injorojë luftën hibride ruse në rajonin e Ballkanit Perëndimor, raporton Gazeta Sinjali.
“Kërkova nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, më shumë vëmendje drejt Ballkanit Perëndimor si dhe të mos injorojë luftën proksi dhe hibride të Rusisë në rajonin tonë”, ka shkruar Kurti.
Po ashtu, Kurti ka thënë se sanksionet janë më e pakta që mund të bëhen kundër Rusisë në këtë kohë lufte.
“Kemi një luftë në Evropë. Sanksionet kundër Rusisë janë minimumi i minimumit që mund të bëjmë”, ka shkruar ai.