Ndikimi rus dhe rreziku i nxitjes së konflikteve të mundshme në vendet e Ballkanit Perëndimor, ka qenë një nga temat që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka diskutuar të premten me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në margjinat e Forumit Ekonomik të Delfit.
Siç bëhet e ditur në një komunikatë nga Qeveria, Kurti ka thënë se si pasojë e zhvillimeve të fundit nga pushtimi rus i Ukrainës, është i nevojshëm kthimi i vëmendjes për sigurinë në Ballkan.
“U bisedua mbi sukseset e Republikës së Kosovës në ekonomi, me ngritjen e paprecedent ekonomike dhe në drejtësi, me luftimin e korrupsionit dhe grupeve kriminale. Në takim u diskutua edhe rreth zhvillimeve në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në këtë rajon, me theks te invazioni rus dhe agresioni ushtarak në Ukrainë. U diskutua për ndikimin rus dhe rrezikun e nxitjes së konflikteve të mundshme në vendet e Ballkanit Perëndimor. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, kryeministri potencoi nevojën për kthimin e vëmendjes për sigurinë në rajon dhe investimeve në Kosovë. Ai theksoi renditjen e Kosovës përkrah botës demokratike në sanksionimin e Rusisë, si edhe për gatishmërinë e qeverisë së Republikës së Kosovës për të pranuar 5000 refugjatë nga Ukraina”, ka thënë Qeveria për takimin Kurti-Escobar.
Kurti po ashtu ka thënë se është i domosdoshëm integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në NATO dhe Bashkim Evropian për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon e kontinentin e Evropës.
Ndërkaq, Escobar ka konfirmuar mbështetjen e SHBA-së për Kosovën, sovranitetin e integritetin e saj territorial dhe synimet e Kosovës drejt integrimeve evropiane e euroatlantike.
Më herët gjatë ditës, Kurti ka pasur takim edhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.