Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim në Shën Stefan me Nënsekretarin Parlamentar të Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme britanike, Lord Wood of Anfield, me ç’rast ka vlerësuar lart marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar, transmeton Klankosova.tv.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti theksoi se ky takim pason bisedat e zhvilluara përgjatë dy muajve të fundit me të Dërguarën e Posaçme për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, si në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ashtu edhe përmes telefonit, transmeton Klankosova.tv.
Kreu i qeverisë nënvizoi rolin historik dhe të vazhdueshëm të Londrës në mbështetje të shtetësisë së Kosovës.
Kryeministri shtoi po ashtu se me konsolidimin dhe funksionimin e plotë të institucioneve, vëmendja kryesore është te reformat dhe zhvillimi ekonomik, me një fokus të veçantë në zgjerimin e bashkëpunimit me Britaninë nga fusha e mbrojtjes e deri te organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.










