Kreu i Qeverisë, Albin Kurti, e ka pritur sot në zyrën e tij, deputeten e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin.
Në komunikatën e lëshuar nga Qeveria, Osmanit i janë referuar si “president në ardhje”, derisa negociatat për sigurimin e votave që e rikthejnë Vjosa Osmanin në karrigen e të pares së shtetit po vazhdojnë.
“Znj. Osmani uroi Kryeministrin Kurti për detyrën e re dhe i dëshiroi atij dhe kabinetit qeveritar suksese në përmbushjen e zotimeve dhe tejkalimin e sfidave”, thuhet në komunikatë.
“Kryeministri Kurti e falënderoi znj. Osmani dhe shprehu gatishmërinë e tij për bashkëpunim institucional për shtetndërtim demokratik dhe progres të gjithanshëm të vendit tone”, përfundon njoftimi.
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë takuar ndaras të gjitha partitë opozitare për të siguruar përkrahjen në zgjedhjen e Osmanit presidente. AAK dhe PDK janë kategorik kundër, derisa shpresat kanë mbetur tek LDK’ja e Abdixhikut.
Ky i fundit dje ka zhvilluar një takim me Vjosa Osmanin, bashkë me Lutfi Hazirin. Pas takimit, Abdixhiku ka treguar se nuk kanë vërejtje për platformën e Osmanit, derisa ka pohuar se janë pajtuar të takohen përsëri.
Krei i LDK’së ka thënë se pas diskutimeve që do të kenë në parti dhe pas takimit të dytë që do të kenë me Vjosa Osmanin, do të dalin me një qëndrim final rreth asaj nëse e përkrahin Vjosën për presidente.