Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka konfirmuar se veturat e Kosovës me targa RKS po qarkullojnë lirshëm në territorin e Serbisë.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka shkruar se sipas raportimit të Policisë nga monitorimi në terren, marrëveshja për njohjen e targave po gjen zbatim të plotë bazuar në reciprocitet.
“Në mbledhjen e fundit të qeverisë për vitin 2023, mbajtur më 27 dhjetor, pata kërkuar raportim lidhur me zbatimin e vendimit nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa RKS në territorin e Serbisë nga data 1 janar 2024. Nga raporti i policisë sonë e cila ka monitoruar gjithçka me shumë vëmendje jemi njoftuar që kemi zbatim të plotë, dhe se nuk ka pasur incidente a pengesa. Andaj, bazuar në parimin e reciprocitetit si një premisë e rregullimit të marrëdhënieve të shteteve të pavarura, mbrëmë morëm vendim që njësoj të lejohen edhe automjetet që vijnë nga ana tjetër e kufirit me targa të Serbisë. Ky vendim i yni nis të zbatohet me t’u publikuar në Gazetën Zyrtare”, ka shrkuar Kurti.
Kryeministri tha se nëse policia has në ndonjë ndryshim të qasjes së zbatimit të kësaj marrëveshjeje, Qeveria do të veproj.
“Në rast se Policia e Kosovës ndërkohë pranon raportime nga terreni për ndryshim të qasjes a sjelljes nga autoritetet e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa të Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë, apo pengimin e lëvizjes së lirë në çfarëdo forme, ne do të njoftohemi me kohë dhe do të veprojmë”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.
Ai tha se ky veprim i Serbisë vjen pas përdorimit dyvjeçar të kësaj marrëveshje për të shkaktuar konflikt dhe destabilizim në veri të Kosovës.