Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se procesi gjyqësor ndaj tre të akuzuarave për sulmin terrorist në kanalin e “Ibër Lepnecit” vitin e kaluar, do ta dëshmojë se ata ishin pjesë e strukturave ilegale të Serbisë, të lidhur ngushtë me presidentin serb, Aleksander Vuçiq dhe të akuzuarin kryesor për sulmin në Banjskë Millan Radoiçiq.
Kurti në një reagim një ditë pas ngritjes së aktakuzës për këtë rast ka thënë se janë siguruar prova se pikërisht tre serbët e akuzuar ishin në vendin e ngjarjes natën kritike, ku ka falënderuar institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës dhe FBI-në nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “punën profesionale të kryer në këtë rast”.
“Mund t’ju siguroj se, në bazë të informacioneve të inteligjencës, të akuzuarit kanë qenë pjesë e strukturave ilegale të Serbisë dhe janë në mesin e të përfshirëve në realizim të sulmit.Procesi gjyqësor do ta dëshmojë se të akuzuarit ishin pjesë e strukturave ilegale të Serbisë, të lidhur ngushtë me mikun e Vuçiqit, terroristin Millan Radoiçiq, dhe strukturat tjera shtetërore të Serbisë që planifikuan dhe urdhëruan sulmin terrorist”, ka shkruar Kurti, raporton teve1.info.
Ai ka thënë se do të angazhohen dhe nuk do të ndalen për integritetin territorial, sovranitetin e shtetit , sundimi i rendit dhe ligjit për të gjithë qytetarët pa dallim, të cilat tha se janë vlera jetike.
“Rasti i fundit dëshmon që në Kosovë nuk kalon pa ndëshkim terrorizmi, sado perfid të jetë, dhe nuk mund të kalojë pa u vërejtur dhe dekonstruktuar dezinformimi”, ka shkruar Kurti.

