Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur pas takimit të sotëm shumë orësh me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafën.
Kurti në një reagim në profilin e tij ka thënë se në këtë takim janë koordinuar për të ndalur keq qeverisjen dhe idenë e Hashim Thaçit për lëvizje të kufijve.
Ai ka paralajmëruar se të dy partitë do të bëjnë përpjekje për rrëzimin e Haradinajt dhe krijimin e një qeverie të re.
Ky bashkëpunim i dy partive vjen edhe përkundër faktit që LDK-ja nuk ka shprehur gatishmëri t’i bashkohet VV-së në protesta.
“Të gatshëm të koordinojmë bashkëpunimin opozitar në mënyrë që degradimi i qeverisjes dhe rrezikimi i territorit të ndalen sa më shpejtë. Kosova si kurrë më parë ka nevojë urgjente për qeverisje të re dhe cilësore”, ka shkruar Kurti.
Ky takim i Kurtit me kreun e LDk-së, ka ardhur në prag të protestës së 29 shtatorit. Përveç Isa Mustafës, Kurti sot ka takuar edhe krerët e Veteranëve të UÇK-së.