Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Kosova është anëtarësuar në Organizatën Ndërkombëtare Shoqata Evropiane e Kartës Rinore (EYCA – European Youth Card Association).
Kurti potencoi se EYCA bënë bashkë 30 shtete të Evropës të cilat lëshojnë Kartën Evropiane Rinore për mbi 7 milionë të rinj.
“Me seli në Bruksel, EYCA bënë bashkë 30 shtete të Evropës të cilat lëshojnë Kartën Evropiane Rinore për mbi 7 milionë të rinj. Pas aplikimit të suksesshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Qeveria do ta ofrojë kartën pa pagesë për të gjithë të rinjtë nën moshën 30 vjeçare, pavarësisht gjinisë, përkatësisë etnike, aftësive apo statusit socio-ekonomik. Karta do të jetë e qasshme në formë digjitale, në të gjitha gjuhët zyrtare të vendit tonë”, shkroi Kurti në rrjetin social Facebook.
Ai potencoi se karta do t’u jep qasje në mbi 60,000 zbritje dhe benefite në transport, akomodim, kulturë, sport, arsim, shërbime dhe produkte kudo në Evropë.
“Për më tepër, Qeveria do të punojë së bashku me sektorin publik dhe privat të Kosovës për të ofruar zbritje dhe përfitime brenda Kosovës, të cilat do vlejnë edhe për vizitorët dhe turistët e rinj të huaj që vijnë në Kosovë”.
“Nga viti 1991, EYCA është partner institucional i Këshillit të Evropës dhe në këtë cilësi merr pjesë në zbatimin e programit të Marrëveshjes së Pjesshme për Mobilitetin e Rinisë përmes Kartës Rinore”.
“Me liberalizimin e vizave dhe me përparimin në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, jemi në prag të lëvizjes së lirë dhe lidhjes më të afërt me Evropën. Ndërsa me masat si Skema Young Cells, bursat e Ministrisë së Arsimit, dhe grantet e mobilitetit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, mijëra të rinjve po ju mundësohet mobiliteti në Evropë për përvoja arsimore, garuese dhe profesionale”.
Kurti theksoi se nga viti që na pret, të pajisur me kartë, të rinjtë në Kosovë do kenë mundësi dhe përfitime të barabarta kudo në Evropë.