Kryeministri Albin Kurti rrugëdaljen nga tensionet në veri e ka përshkruar si “hekurudhë të drejtë me dy binarë”, shkruan Reporteri.net.
Kurti ka thënë se fillimisht duhet të tërhiqen huliganët nga rrugët e pastaj të ulet numri i policisë së pranishme në veri, dhe në të njëjtën kohë të avancohet me implementimin e marrëveshjes.
Kurti në Bratislavë ka thënë mesazhi i SHBA-së ishte i fortë dhe se po përpiqen që të gjejnë rrugëdalje.
“Ju pyetët a jeni i frikësuar, apo i brengosur. Jam i brengosur gati gjithë kohën, po nuk frikësohem. Sepse prapë është përshkrim i punës që të mos frikësohem, por të brengosem. SHBA-ja ka përçuar një mesazh të fuqishëm, po përpiqemi fort që të gjejmë rrugëdalje, dhe rrugëdalja nuk duhet të jetë rrugë e lakuar, por një hekurudhë. Dy shina, dy binarë së pari të dalim nga kriza në veri, që do të thotë sundim i së drejtës: huliganët ose kthehen në Serbi, ose burgosen në Kosovë dhe pastaj të ulim praninë e policisë në objekte komunale dhe normalizojmë situatën.
Binari i dytë është zbatimi i shpejtë i pakushtëzuar i marrëveshjes së Brukselit që jemi dakorduar”, u shpreh Kurti ndër të tjera.
Ndër të tjera, Kryeministri Kurti ka thënë se është bindja e tij që Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq, është penduar që i ka thënë “PO” marrëveshjes në Ohër. Kurti ka shtuar se situata është e tensionuar për shkak se Beogradi nuk do ta bëjë implementimin e marrëveshjes.
“Është bindja ime që presidenti i Serbisë i ka thënë po marrëveshjes për mos ta nënshkruar dhe tani i ka rënë pishman që ka thënë po”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, zgjedhjet e katër kryetarëve në veri i ka pranuar vet bashkësia ndërkombëtare edhe pse të njëjtit kur është dashur të shkonin për të ushtruar funksionin e tyre në kuvend komunal, janë penguar.
“Këta janë kryetar me K të vogël jo të madhe për shkak se ardhja në zgjedhje ka qenë e ulët, nuk mund të them që kanë legjitimitet të plotë politik, por ligjshmëria duhet të jetë e zbatuar ata janë kryetar, bashkësia ndërkombëtare e ka njohur procesin, i ka njohur rezultatet, kur këta kryetar u deshtë të shkonin në zyrat e tyre në ndërtesat komunale që janë pronë e Republikës dhe ndodhë që të jenë të zbrazëta që paria serbe ka dalë nga aty kanë filluar të organizojnë turma të dhunshme që kanë sulmuar zyrtarët tanë policor dhe ushtarët e KFORIT”, tha Kurti.
Shtensionim të menjëhershëm të tensioneve, ka kërkuar sot edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, teksa ka dënuar sulmet e huliganëve serbë ndaj ushtarëve të KFOR-it gjatë tensioneve në veri.
Përmes një deklarate gjatë orëve të para të së mërkurës, sipas kohës lokale në Kosovë, Blinkeni ka bërë thirrje që Kosova e Serbia t’i përkushtohen dialogut.
Ndërsa ka theksuar se vendimi i Qeverisë së Kosovë që me forcë të hyjë në ndërtesat komunale ka përshkallëzuar tensionet në mënyrë të panevojshme.
Tutje ai ka pasur dy kërkesa ndaj Qeverisë e Kurtit, për të siguruar që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore nga afërsia.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet. Shtetet e Bashkuara dënojnë dhunën e papranueshme dje kundër trupave të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, forcave të rendit dhe gazetarëve.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale përshkallëzoi tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme. Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore nga afërsia.
Presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet të ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë së sfiduari KFOR’in dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme.
Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet menjëherë të angazhohen në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në deklaratë.
Një ditë më parë, SHBA-ja njoftoi se ka vendosur ta sanksionojë Kosovën për insistimin e Qeverisë për t’i vendosur kryetarët e komunave në veri në ndërtesat komunale, për çka ka nxitur trazira nga serbët lokalë. Vendimi i parë ishte për ta përjashtuar Kosovën nga stërvitja e madhe ushtarake “Defender Europe 2023”, ka bërë të ditur ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.
Ndërsa qortimin e parë të Blinkenit, pas nisjes së tensionimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka cilësuar “të padrejtë, të gabuar, lëndues dhe naiv”.