Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti u ka kthyer letrat e urimit që i erdhën atij ditë më parë nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Në letrën falënderuese që Kurti i ka kthyer Erdoganit, shkruan se qytetarët e Kosovës më 14 shkurt vendosën që përmes zgjedhjeve demokratike të ndryshojnë të ardhmen e tyre.
“Sapo Qeveria të formohet, do të shikoj të thellojmë marrëdhëniet tona përmes një bashkëpunimi të hapur”, shkruan Kurti në letrën falënderuese për Erdoganin.
Ai tutje thotë se shqiptarët në Turqi dhe turqit në Kosovë janë urë lidhëse e miqësisë në mes dy vendeve tona.
Në letrën falënderuese për kryeministrin izraelit, Netanyahu, Kurti thotë se e mirëpret faktin që marrëdhëniet në mes dy popujve kanë arritur në lidhje diplomatike në mes dy vendeve.
“Unë e shoh këtë si një mundësi të forcimit të bashkëpunimit tonë politik, ekonomik dhe kulturor. Si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, do të jep i nderuar të adresojë çështjet relevante të komunitetit hebrej dhe trashëgimisë së saj në vendin tonë”, shkruan Kurti në letrën falënderuese dërguar Netanyahut.
Ndryshe në këto letra Kurti nuk ka përmendur çështjen e hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem, ndonëse kjo çështje është bërë temë diskutimi kohëve të fundit.