Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk mund të bëjë Asociacion të komunave serbe të Kosovës, pasi sipas tij kjo nuk është kompetencë e ekzekutivit.
Kurti ka thënë se me ligjin e Kosovës u takon vet komunave ta bëjnë asociacionin nëse dëshirojnë.
“Unë nuk mund të bëjë asociacion të komunave në Republikë. I takon komunave ta bëjnë asociacionin. E kemi lirinë e asocimit në Kushtetutë, por edhe Ligjin për vetëqeverisje lokale. Aty thuhet shumë qartë në dy nene se si bëhet asocimi i komunave. Asocimi që imponohet nga lartë është diktat nuk është asocim”, ka deklaruar Kurti në një intervistë në televizionin Alsat M.
Kurti tha se Serbia flet për marrëveshjet e vjetra që janë bërë nga paraardhësit e tij, derisa nuk zbaton marrëveshjen e fundit për normalizim.
“Ne kemi një marrëveshje në Bruksel. Marrëveshja është bazike për njohje reciproke, së paku de facto dhe ajo duhet të zbatohet. Por Serbia flet për marrëveshjet e vjetra që janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Unë nuk i mohoj marrëveshjet që i kanë bërë paraardhësit e mijë, por jo që ato të vendosen si qerrja para kalit”.
Kryeministri thotë se nuk është marrëveshja bazikë tryezë suedeze ku Serbia mund të marrë çfarë dëshiron e të hudhësh të tjerat.
Kurti ka folur edhe për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ai u shpreh optimist se edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, do të shënojnë fitore “me mbi 50 për qind”.
“Më 9 shkurt do të jenë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Krahasuar me vitin 2021 kur e kemi marrë qeverisjen, në vitin 2025 buxheti i Kosovës do të jetë 50 për qind më i lartë. Pra 50 për qind buxhet më shumë do të ketë Kosova në vitin 2025 sesa në vitin 2021. Lëvizja Vetëvendosje i ka pasur mbi 50 për qind në vitin 2021, dhe unë besoj që nuk do të ketë ndryshime, rrjedhimit do të fitojmë sërish me mbi 50 për qind”, tha Kurti.