Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, uroi sot festën e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, duke e cilësuar këtë datë si nyjën më të fortë të historisë së kombit shqiptar.
Në postimin e tij, Kurti thekson se pak kombe në botë e kanë fatin kaq të lidhur me një datë të vetme, sikurse shqiptarët me 28 Nëntorin. Ai rikujtoi ngjarjet historike që lidhen me këtë ditë – nga ngritja e flamurit të Skënderbeut në Krujë më 1443, te shpallja e pavarësisë në Vlorë më 1912, lindja e Adem Jasharit më 1955, e deri te paraqitja publike e UÇK-së në vitin 1997.
Kurti përmendi edhe vizionin e rilindasit Sami Frashëri për Shqipërinë e bashkuar, si dhe vështirësitë e vitit 1912, për të cilat kishte shkruar Luigj Gurakuqi, i cili megjithatë e quante pavarësinë “një send të paçmuar”.
Sipas Kurtit, të gjitha këto përpjekje e flijime në shekuj sot janë kurorëzuar me dy shtete shqiptare të pavarura – Shqipërinë dhe Kosovën. Ai shtoi se synimi i shqiptarëve duhet të jetë “Nëntori i Tretë”, një etapë e re historike drejt realizimit të amanetit të të gjithë atdhetarëve.
“Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt,” përfundon mesazhi i tij, duke iu uruar shqiptarëve kudo që janë një festë të gëzuar të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit.









