Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, i cili mbi 7 muaj ka qëndruar në objektin e komunës, natën e fundit të vitit 2023 është kthyer në shtëpinë e tij.
Aty ku bashkë me familjen e tij të gjerë po feston ardhjen e vitit 2024, Hetemi priti, kryetari e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Për vizitën të Hetemi ka shkruar Kurti. Ai tha se u njoftuan për punën që po bëhet në Leposaviq.
“Kryetari Lulzim na tregoi për punët e mira që po bëhen në komunën e Leposaviqit, për rregullin e vendosur, planet zhvillimore dhe korrektësinë e praktikuar. Na njoftoi për aq shumë palë që i pret gjatë ditës, përditë, çdo orë. Ua dëgjon me vëmendje ankesat e kërkesat dhe i shqyrton ato me seriozitet e i trajton me shpejtësi. Serbishtja e tij nuk është aq e mirë, ashtu qysh nuk është e mirë as shqipja e serbëve në Leposaviq, mirëpo shumë mirë po merren vesh sepse e kanë qëllimin e mirë, interesimin e njëmendtë dhe interesin e përbashkët për mirëqenie dhe të drejta për të gjithë qytetarët pa dallim. Lulzim Hetemi është udhëheqës i drejtë dhe punëtor”, ka shkruar Kurti.
Ai bëri të ditur se pas viztës janë kthyer në Prishtinë, ndërsa Hetemi u nis për në zyrën e tij në komunë, siç tha Kurti për punuar e festuar me kolegë e policë dhe ushtarë të KFOR-it.
“Pas kësaj vizite sonte në familjen e Lulzim Hetemit, ne u kthyem në Prishtinë për të vazhduar festën, ndërkaq ai u nis për në zyrën e tij në Leposaviq për të punuar dhe festuar me disa kolegë të tij si dhe me policët tanë e ushtarët e KFOR-it amerikan”, ka treguar Kurti.