Në shënim të Ditës Kombëtare të Boshnjakëve, Kryeministri i Republikës e Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi morën pjesë në ceremoninë solemne të përurimit të Qendrës Kulturore Boshnjake në Prizren.
“Është nder të jem sot me ju dhe të shënojmë siç na ka hije Ditën e Boshnjakëve”, u shpreh kryeministri Kurti në fillim të fjalës së tij.
“Në këtë ditë kujtohet Parlamenti i Parë Boshnjak i rrethuar në Sarajevë në vitin 1993 dhe dita kur boshnjakët luftuan për të drejtën e patjetërsueshme të emrit të tyre”, shtoi ai.
Ai vlerësoi kontributin e boshnjakëve në zhvillimin e Republikës së Kosovës, ndërsa tha se përfaqësuesit politikë të boshnjakëve sot janë pjesë përbërëse e qeverisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në marrjen e vendimeve të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe interesat e vendit në tërësi.