Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë për Al Jazeera se sulmi terrorist i së dielës në veri të Kosovës nuk ishte “rezistencë civile apo vepër e bandave”, por sulm i “formacioneve të armatosura paraushtarake të pajisura dhe përgatitur nga Beogradi” dhe që “u krye me urdhër të Serbisë”, transmeton Reporteri.net.
Kur u pyet nëse autoritetet e Kosovës kanë ndonjë informacion të inteligjencës për sulmet e reja, Kurti u përgjigj se ka shumë informacione dhe se këto “grupe të armatosura”, që Forcat e Armatosura të Serbisë u ofrojnë pajisje, armë dhe municion, janë duke kryer vazhdimisht stërvitje në afërsi të kufijve të Kosovës dhe “po përgatiten për luftë”.
“Nuk përjashtohet ri-agresioni”, ka theksuar shefi i ekzekutivit duke shtuar se Serbia donte që lufta të fillonte të dielën.
Ai akuzoi Beogradin dhe grupet e armatosura se duan të përsërisin skenarin e fillimit të luftës në Sarajevë.
Kurti po ashtu ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe nënkryetari i Listës Serbe, kryeterroristi Milan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin në veri të Kosovës, janë “Slobodan Millosheviq dhe Zheljko Ražnatoviq Arkan” të cilët siç deklaroi ai, dëshiron ta kthejë rajonin në vitet e 90-ta.
Për më tepër, Kurti ka shtuar dhe se “grupet paramilitare” në Kosovë janë të lidhura edhe me grupe nga Rusia, si Wagner, duke i quajtur Vuçiqin dhe Radoiçiqin “Putin dhe Prigožin”.
Kryeministri i Kosovës e akuzoi Vuçiqin se “deshi një luftë tjetër dhe një gjenocid, sepse dëshiron Republikën Srpska në Kosovë”.
“Ashtu siç Rusia zhvilloi një luftë hibride në Ukrainë në fillim, Serbia po bën kundër nesh”, ka thënë Kurti. /Reporteri.net/.