Menaxhmenti i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) ka nisur procedura disiplinore ndaj gazetarëve dhe redaktorëve që kanë përgatitur dhe transmetuar një kronikë mbi deklaratën e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), e cila u publikua para katër ditësh në mbështetje të gjashtë redaktorëve të larguar nga ekrani, si pjesë e asaj që është quajtur censurë dhe presion politik brenda transmetuesit publik.
Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka bërë të ditur në një reagim publik se menaxhmenti i RTK-së ka ndërmarrë veprime disiplinore ndaj stafit, me arsyetimin se në kronikë nuk është përfshirë qëndrimi i menaxhmentit – ndonëse, sipas saj, ata nuk kishin dhënë asnjë reagim në ditën kur u publikua deklarata.
“Nëse menaxhmenti ka pritur që redaktorët dhe gazetarët të gjejnë deklarata të vjetra sa për balancim, kur vetë menaxhmenti ka pasur mundësinë të reagojë, atëherë i bie që menaxhmenti është duke u frymëzuar tej mase nga stili i Viktor Orbanit në Hungari për mënyrën e menaxhimit të transmetuesit,” ka shkruar Kusari.