Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila ka folur për të arriturat e Qeverisë Kurti gjatë mandatit të parë qeverisës. Ajo ka thënë se viti i parë është karakterizuar me rritjen e ekonomisë dhe sukses në rend e ligj.
“Nesër bëhet një vit që prej ne kemi marr mandatin. Ka qenë një vit dinamik që u karakterizua me efektet e pandemisë. Vit që ka shënuar progres në rritjen ekonomike, vit i cili ka hap mundësi të reja për vitin që jemi dhe që vjen. Ka pasur një mori të agjencive që ka pasur pa borde. Në aspektin legjislativ, 109 projektligje i janë proceduar kuvendit për miratim”, ka thënë Kusari Lila në konferencë.
Ajo tha se është hera e parë që një qeveri ka luftuar në mënyrë sistematike krimin e organizuar.
“Është hera e parë që një qeveri në mënyrë sistematike ka luftuar krimin e organizuar. Kemi parë aksione të vazhdueshme si në veri të vendit ashtu edhe në pjesë tjera. Në një kohë tepër të ndjeshme Qeveria Kurti ka treguar stabilitetin në qeverisjen e saj. Kushdo që synon dhe kritikon duhet të marr pasqyrën dhe të shoh veprimet e veta që ka pasur por edhe sjelljen. Jemi duke u ballafaquar me akumulim të pakënaqësive me dekada”, tha Kusari Lila.
Shefja e deputetëve të LVV-së foli edhe për iniciativën e PDK-së për tërheqjen e parave nga Trusti, ku tha se nuk do ta mbështesin.
“Jo nuk e ka mbështetjen tonë dhe nuk do ta ketë. Sepse vetë koncepti i Trustit ka të bëjë me ruajtjen e një mirëqenie të qytetarëve pas moshës 65 vjeçare. Na mbetet të diskutojmë me opozitën për modalitete tjera të ndihmës për qytetarët”, tha ajo.
Tahiri gjatë një konference për medie më herët, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ka shtuar se kërkesë e dytë e PDK-së për seancën e së enjtes është edhe tërheqja e kursimeve pensionale nga Trusti.
“Çështje tjetër që është ngritur nga Grupi Parlamentar i PDK-së është edhe plotësim-ndryshimi i Ligjit për Fondin Pensional. Do t’i shkoj Qeverisë së Kosovës për mendim një projektligj i tillë. Siç e dini PDK ka bërë propozimin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti për ato familje që vërtetë e kanë problem që t’ia dalin me ato të ardhura mujore”, tha Tahiri.