Jurisja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, ka paralajmëruar krijimin e një rreziku për të gjitha mediet në Kosovë, nëse refuzohet ankesa e mediumit Klan Kosova për suspendimin e certifikatës së biznesit, raporton teve1.info
Përmes një statusi në Facebook, Kusari ka thënë se nëse kjo ankesë nuk merret parasysh edhe tri ditë sa ka mbet afati ligjor, rreziku që të mbyllet Klan Kosova është real, derisa këtë e ka quajtur precedan të rrezikshëm edhe për mediet tjera.
Sipas Kusarit, Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në MINT i ka edhe tre dite afat që të vendos për ankesën e Klan Kosovës kundër vendimit, siç a quajti ajo politik, për suspendimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova.
“Nëse Komisioni e refuzon ankesën, atëherë brenda një periudhë shumë të shkurtës (nëse procedura gjyqësore dështon) redaksisë së Klan Kosovës do t’i vihet çelësi.
Rreziku është serioz dhe real.
Ky nuk është proces administrativ apo i ligjshëm, është proces politik.
E kuptoj që mediat dhe gazetarët janë shumë të zënë me shumë zhvillime por i lus shumë që t’i kushtojnë kohë këtij zhvillimi.
Ky proces nuk ka të bëjë vetëm me Klan Kosova, ka të bëjë me precedentin që krijohet dhe që pastaj mund të zbatohet për të gjitha mediat tjera”, ka shkruar Kusari.
Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka kërkuar t’i hiqet licenca e biznesit të Klan Kosovës, me arsyetimin se në regjistrim ka probleme teknike.
Kërkesën e këtij institucioni e ka refuzuar Komisioni i Pavarur i Medieve, duke i dhënë afat një muaj për ndryshimin e të dhënave në fletëregjistrim të këtij mediumi.
Ndërsa MINT nuk e ka marrë parasysh ankesën e Klan Kosovës që të shfuqizohet vendimi për tërheqje te licencës edhe pas deponimit të saj gati një muaj më parë.