Zgjedhjet për kryetar të Komunës së Gjilanit pritet të sjellin një garë të ngushtë mes katër kandidatëve me profil të qartë politik dhe përvojë në administratë publike.
Sipas burimeve të brendshme, emrat që përfliten për të garuar në këtë garë janë: Alban Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbër Ismajli nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Riad Rashiti nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Nazim Gagica nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Alban Hyseni (LVV) – Kryetari aktual i Gjilanit
Alban Hyseni po e përmbyll mandatin e tij të parë si kryetar i komunës, gjatë të cilit është përballur me sfida të shumta. Ai shpesh ka fajësuar bllokadat politike dhe mungesën e bashkëpunimit institucional për vonesat në realizimin e projekteve. Kritikat ndaj tij lidhen kryesisht me mosrealizimin e projekteve madhore dhe nisjen e disa punimeve vetëm në prag të përfundimit të mandatit, gjë që ka ngritur dyshime mbi efektivitetin e qeverisjes së tij. Deri më tani, nuk ka arritur të sigurojë mbështetje të gjerë për një mandat të dytë.
Arbër Ismajli (LDK) – Emër në ngritje me reputacion pozitiv
Aktualisht nënkryetar i degës së LDK-së në Gjilan dhe ish-nënkryetar i Komunës, Arbër Ismajli gëzon një reputacion në rritje. Kontributi i tij gjatë pandemisë COVID-19, kur ndihmoi drejtpërdrejt qytetarët në nevojë, është vlerësuar nga opinioni publik. Ai shihet si një kandidat serioz dhe me potencial për të fituar garën, falë një qasjeje pragmatike dhe të orientuar drejt nevojave të qytetarëve.
Riad Rashiti (PDK) – Me përvojë të thelluar në menaxhim dhe zhvillim ekonomik
Riad Rashiti ka një karrierë të gjatë në administratën komunale, ku ka shërbyer si drejtor i zhvillimit ekonomik dhe më pas si nënkryetar i komunës. Aktualisht është kryetar i degës së PDK-së në Gjilan. Ai njihet për angazhimin e tij në çështje të menaxhimit dhe zhvillimit ekonomik, çka pritet të jetë boshti kryesor i fushatës së tij.
Nazim Gagica (AAK) – Figurë me përvojë në qeverisjen lokale
Nazim Gagica ka një histori të gjatë në administratën komunale, ku ka ushtruar funksione si drejtor i shërbimeve publike dhe i arsimit. Në zgjedhjet e fundit ka kandiduar për deputet dhe vazhdon të jetë aktiv në skenën politike lokale. Përvojat e tij në qeverisje dhe mbështetja që gëzon në mesin e qytetarëve e bëjnë një kandidat të denjë për postin e kryetarit.