Më një dhjetor të këtij viti pritet të hyjë në fuqi Ligji i Ri për Pagat në Sektorin Publik. Me hyrjen në fuqi të ligjit pritet të jepen edhe pagat me rritje po gjatë muajit dhjetor. Por kundër këtij ligji deri më tani kanë dalë 20 sindikata e grupe ankuesish, të cilat kanë shprehur pakënaqësi lidhur me nivelizimin e pagave që është bërë përmes këtij ligji. Në ndërkohë një grup i sindikatave javën e kaluar ka paralajmëruar protesta e greva në rast se pagat nuk dalin me rritje gjatë muajit dhjetor, siç parashihet me ligjin e ri, shkruan “Zëri”.
Sipas afateve të parapara në ligj, nga muaji dhjetor i këtij viti punëtorët e sektorit publik pritet të marrin pagat me rritje.
“Vlera monetare e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji do të jetë dyqind e tridhjetë e nëntë (239) euro. Për vitet e tjera buxhetore vlera monetare e koeficientit përcaktohet me Ligjin Vjetor të Buxhetit”, thuhet në Nenin 23 të Ligjit, i cili përcakton vlerën e koeficientit dhe fondet për shtesa.
Në bazë të ligjit, presidenti i Kosovës pritet ta ketë pagën më të lartë dhe do të paguhet sipas koeficientit 10, derisa kryetari i Kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të paguhen sipas koeficientit 9. Sipas koeficientit, presidenti i Republikës do ta ketë pagën 2,390 euro nga 2,672 euro që është paguar deri më tani, ndërsa kryetari i Kuvendit do të ketë pagën 2,151 ose 404 euro më pak se paga aktuale.
Të njëjtën pagë prej 2,151 euro do ta ketë edhe kryeministri e kryetari i Gjykatës Kushtetuese nga 2,950 euro përkatësisht 3,108 euro që janë paguar aktualisht. Për sa i përket pagës së zëvendëskryeministrit, ai do të paguhet 2,031 euro nga 2,500 euro sa është paguar deri më tani. Po ashtu paga e një ministri sipas Ligjit për Pagat do të jetë 1,912 euro që do të jetë një zbritje page prej 88 eurosh.