Feride Rushiti përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në vitin 1997 dhe më
pas specializoi në degën Gastroenterologji.
Feride Rushiti është një nga aktivistet pioniere e të drejtave të njeriut në Kosovë. Aktivitetin e saj human e filloi në vitet e 90-ta, ku si rezultat i luftës së vitit 1998-1999 dhe shkeljes sistematike të të drejtave të njeriut, mëse gjysma e popullsisë së Kosovës ishte shpërngulur, kryesisht në Shqipëri. Në atë kohë, znj. Rushiti mobilizoi një ekip prej 45 profesionistë shëndetësor nga Kosova, me të vetmin qëllim: ofrimin e ndihmës mjekësore dhe psikologjike për të shpërngulurit. Përfundimi i luftës dhe kthimi në Kosovë, shënon fillimin e një etape të re të angazhimit të saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht në luftimin e torturës dhe formave tjera të degradimit njerëzor.
Konkretisht, në tetor të vitit 1999, Rushiti themeloi Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), e cila ishte adresa e parë në ofrimin e shërbimeve rehabilituese, ndihmës mjekësore dhe psiko-sociale për të sapo kthyerit e pasluftës, të mbijetuar të torturës dhe dhunës sistematike. Nën udhëheqjen saj, QKRMT u rrit hovshëm, dhe në harkun kohor 18 vjeçar më shumë se 18000 persona të traumatizuar, viktima të torturës apo familjarë të tyre përfituan nga shërbimet rehabilituese, mjekësore e psiko-sociale. Ndonëse me intensitet dhe fluks më të vogël, QKRMT
edhe sot e kësaj dite vazhdon të mbetet organizatë lidere në ofrimin e këtyre shërbimeve.
Që nga viti 2007, Rushiti, ka dhënë një kontribut të veçantë në parandalimin e torturës
dhe formave tjera të keqtrajtimit njerëzor, për personat e privuar nga liria. Që nga ajo kohë, është instaluar monitorimi dhe raportimi i rregullt mbi zbatimin e standardeve
ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në Shërbimin Korrektues të Kosovës, Policinë e
Kosovës dhe institucionet e shëndetit mendor.
Për më tepër, një ndihmesë të pakursyer e ka dhënë në zbatimin e Protokollit Shtesë të Konventës së OKB kundër Torturës, si dhe në inicimin e Grupit Drejtues për krijimin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës.
Qysh nga themelimi i QKRMT-së, Feride Rushiti në fokus të angazhimit dhe aktivitetit të saj ka pasur të mbijetuarit e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë. Në betejën e saj ligjore, sociale e ekonomike, ajo ishte e pakompromis.
Rushiti ishte zë i fuqishëm në punën dhe funksionalitetin e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale. Për vite me radhë, ajo kishte avokuar dhe lobuar në adresimin dhe njohjen e statusit ligjor për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Përtej njohjes ligjore, personalisht ishte angazhuar në zbatimin e këtij ligji, e në veçanti në proceduarat e dokumentimit dhe verifikimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Puna e saj në terën, kontakti i drejtpërdrejt dhe i vazhdueshëm me këtë grup të ndjeshëm
shoqëror, fushatat dhe aktivitetet e shumta në komunitet, çuan në thyerjen e heshtjes, izolimit dhe paragjykimeve shoqërore. Për më shumë, Rushiti udhëhoqi programet për fuqizim ekonomik për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Kjo formë mbështetjeje, drejtpërsëdrejti ka ndikuar në promovimin e statusit të barabartë social, si dhe qasjes gjithëpërfshirëse.
Përfundimisht, pas pothuaj gati dy dekada të aktivizmit dhe punës së palodhshme, të Rushitit – që jo rrallëherë janë shoqëruar me peripeci dhe sfida të gjithfarëllojshme – në
dhjetor të vitit 2017, Qeveria e Kosovës, miratoi buxhetin për kategorinë e të mbijetuarve të dhunës seksuale.
Kështu që, më në fund u trasua rruga e aplikimit për njohjen dhe verifikim e statusit për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Sëkëndejmi, Rushiti me të drejtë e quan këtë viti: ‘Viti i njohjes së statusit të viktimave të dhunës seksuale.’
Për më shumë se kaq, si rezultat i menaxhimit dhe lidershipit superlativ të Rushiti,
QKRMT u bë qendra ku me qindra të punësuar, përveçse që dhanë kontribut të çmuar në
realizimin e mandatit, u ngritën profesionalisht dhe vazhduan që të japin kontributin e tyre
profesional dhe human, në institucione dhe organizata tjera.