Gjimnazi i Gjilanit ka një histori gati njëshekullore. Deri në vitet e ’60-ta, këtu mësimi u zhvillua vetëm në gjuhën serbe. Fëmijët shqiptarë ishin të detyruar të mësonin në këtë gjuhë, nëse dëshironin shkollim, shkruan gazeta online Mediafokus.info
Pas këtij viti hapet një paralele e vetme me nxënës shqiptarë, për t`u bërë më vonë dy të tilla, derisa në gjuhën serbe ishin shtatë paralele.
Kah mesi i viteve të `60-ta, situata ndryshoi dukshëm në favor të mësimit në gjuhën shqipe, sa i përket numrit të nxënësve, po edhe të mësimdhënësve.
Këta ishin disa nga mësimdhënësit e parë
Mësimdhënës të parë ishin Nevruz Nura, Tasim Sylejmani, Kurtesh Ahmeti, Nijazi Fehmiu, Ekrem Gjinolli, Ali Bajrami (Gjakovë), Kefsere Mahmuti, Sadullah Brestovci, Vehbi Orana, Mehmet Kurteshi, Shefqet Bërlajolli (Pejë), Tahir Z. Berisha, Behxhet Arapi dhe të tjerë. Më vonë erdhën Rashit Gashi, Ruzhdi Ushaku, Ferat Rexhepi, Misim Avdiu, Reshat Ramadani, Abdylaziz Veseli, Muzafer Gjinolli, Emrush Haliti, Zijadin Munishi, Jashar Jashari, Haxhi Vokshi, Ajshe Gashi, Qemajl Halimi, Hamzë Halimi, Adem Meshina, Xhemail Pllana dhe të tjerë.
Se gjimnazi ishte themeluar si shkollë për serbët, këtë e dëshmojnë edhe dokumentet arkivore. Tefik Selimi (tani i ndjerë), ish-profesor i kësaj shkolle, ku i kaloi mbi dyzet vjet punë, kishte gjetur të dhëna që dëshmojnë se në vitin e parë të punës, gjimnazi kishte 57 nxënës serbë dhe asnjë shqiptar.
Nxënësit e parë shqiptarë, me mësim në gjuhën serbe, sipas shënimeve arkivore, ishin Adem Devaja, që ishte i vetëm në një klasë, Hysen Selimi e Zija Devaja, në një paralele tjetër.
Në gjimnaz e ka ndjekur shkollimin edhe poeti Rexhep Elmazi, një nxënës shumë i zgjuar, më i miri mes shokëve. Profesori Dragolub Cvetkoviq, një shovinist i madh, në bashkëpunim me gruan e tij, Bllagicën, që mbante lëndën e Filozofisë, Rexhep Elmazin dhe ndonjë tjetër nxënës shqiptarë i kishin ngelur në klasë. Thuhet se Cvetkoviq i ishte hakmarrë Elmazit për shkak se i kishte bërë vërejtje për mënyrën e vlerësimit të nxënësve.
Gjuha shqipe hyri me vështirësi në gjimnaz
Tefik Selimi (tani i ndjerë), i cili ka bërë edhe një monografi për gjimnazin e Gjilanit, ka thënë se “gjuha shqipe ka hyrë me shumë vështirësi në këtë tempull të dijes”, që për shumë vite e ka udhëhequr drejtori Vllada Cvetanoviq.
Pas vitit 1968 dhe ndryshimeve që sjell kjo periudhë, e veçanërisht pas themelimit të Universitetit të Prishtinës, më 1970, gjimnazi do të marrë rolin prijatar në përgatitjen e kuadrove profesionale për të gjitha lëndët mësimore.
Një rritë e jashtëzakonshme, sa i përket numrit të nxënësve, ka ndodhur pas viteve të `80-ta. Ish-nxënës të kësaj shkolle kanë pasur rol kyç në organizimin e demonstratave të vitit 1968,1981 dhe lëvizjet tjera, në vazhdimësi, prandaj gjimnazi ka qenë përherë në shënjestër të pushtetit, i cili e ndëshkoi përmes masave represive, helmimit të nxënësve dhe largimit nga objekti shkollor, më 1991.
Përndryshe, regjimi serb nuk e ka shikuar asnjëherë me sy të mirë këtë vatër të dijes, për faktin se ishte hapur si shkollë për nxënësit serbë, por më vonë ishte bërë një shtëpi e madhe e dijes për nxënësit shqiptarë.
Edhe Prishtina e kishte lakmi gjimnazin e Gjilanit
Sipas Abdyl Hoxhës, ish-nxënës dhe ish-profesor në gjimnaz, asokohe shkollimi ishte i “përzier” me të tjerët. “Të tjerët” kurrë s’kanë dashur që të rinjtë shqiptarë të arsimohen në gjuhën e tyre amtare.
Kur ra Rankoviqi, gjendja ndryshoi shumë. Profesorët e Prishtinës kanë pasur lakmi të punonim në gjimnazin e Gjilanit. E kanë dashur gjimnazin, se pati kuadro të forta që erdhën nga Prishtina e mese tjera.
Ruzhdi Ushaku ka qenë njeri me dije të gjerë. Është respektuar nga të gjithë. Ismajl Kadriu, një personalitet i dalluar i asaj kohe, ka qenë i pa kompromis. Vlada nuk e kishte më fuqinë si dikur.
Nga inati që nuk po prëfillej nga profesorët shqiptarë, në një mbledhje i pëlcet i thati. /Mediafokus.info