Fotografi ilustruese nga një prej mbledhjeve të Qeverisë së Kosovës
Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar zbatimin e vendimit të Qeverisë për t’ia dhënë shoqatës “Jetimët e Ballkanit” në shfrytëzim disa parcela në Graçanicë për ndërtimin e qendrës për autizëm, sindromë down dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë.
Sipas vendimit të marrë më 31 korrik, për të cilin Kushtetuesja ka njoftuar sot, masa e përkohshme është deri më 31 tetor 2025, shkruan Reporteri.net.
Vendimi i Qeverisë ishte miratuar më 28 gusht të vitit të kaluar, teksa kishte hyrë në fuqi më 10 shtator 2024. Parcelat ishin të Komunës së Graçanicës.
“Në qëllim të realizimit të interesit publik nga pika 1. e këtij Vendimi, sipërfaqet kadastrale të paraqitura në këtë Vendim, i jepen në shfrytëzim Shoqatës Bamirëse “Jetimët e Ballkanit” për ndërtimin e Kompleksit “Qendra Rezidenciale e Kosovës për autizëm, sindromë down, dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë” në periudhë prej 99 vitesh”, thuhej në vendim.
Sipas vendimit, Agjencia Kadastrale e Kosovës obligohej të kryejë të gjitha veprimet procedurale dhe gjeodezike (matjet dhe ndarjet) dhe të bëjë bartjen e sipërfaqeve/pjesëve të ngastrave në emër të Shoqata “Jetimët e Ballkanit” me seli në Prishtinë./Reporteri.net