Gjykata Kushtetuese ka theksuar se afatet për zgjedhjen e presidentit brenda 60 ditësh dhe 30 ditësh nuk mund të interpretohen në mënyrë të duhur nëse ato trajtohen jashtë kontekstit kushtetues në të cilin ato duhet të zbatohen.
Kushtetusja ka sqaruar se nëse këto dy dispozita lexohen në mënyrë të ndërlidhura mes vete mund të nxirren dy përfundime konkrete.
“Gjykata konsideron se leximi dhe interpretimi i këtyre dy dispozitave kushtetuese nuk mund të bëhet në mënyrë të duhur nëse ato trajtohen jashtë kontekstit kushtetues në të cilin ato duhet të zbatohen. Nëse dy dispozitat e lartcekura lexohen në mënyrë tekstuale dhe të ndërlidhura me njëra tjetrën, mund të nxirren dy përfundime konkrete: E para, që Kuvendi shpërndahet ex constitutione nëse brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh nuk arrin të zgjedhë Presidentin, duke filluar nga dita kur nis procedura e zgjedhjes; dhe, e dyta, që Kuvendi ka detyrimin që të paktën tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual të zgjedhë Presidentin e ri”, thuhet në aktgjykim, shkruan teve1.info
“ Në këtë mënyrë, për Kuvendin rrjedh e drejta që të ketë në dispozicion gjashtëdhjetë (60) ditë për të zhvilluar procedurën e zgjedhjes së Presidentit, në njërën anë, ndërsa në anën tjetër rrjedh edhe detyrimi që, kur ka President aktual në funksion kushtetues, të zgjedhë pasardhësin e tij jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”, thuhet tutje.
Gjykata ka sqaruar poashtu se kur fillon të rrjedh afati 60 ditor për zgjedhjen e presidentit.
Poashtu në aktgjykim thuhet se procedura e zgjedhjes së presidentit nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë dhe duhet të përfundojë jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.
“Duke marrë për bazë objektin e vlerësimit të çështjes para Gjykatës, kjo e fundit rithekson se çështja thelbësore që shtrohet për shqyrtim është se kur fillon të rrjedhë afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit, i përcaktuar me nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës në kontekst të shpërndarjes së Kuvendit i lexuar dhe interpretuar së bashku me afatin detyrues të përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës, i cili përcakton që zgjedhja e Presidentit duhet të përfundojë tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Rrjedhimisht, Gjykata, në vijim do të elaborojë dhe sqarojë tri rrethanat respektive të cilat e vënë në lëvizje afatin gjashtëdhjetë (60) ditor të përcaktuar me nënparagrafin 3, të paragrafit 1 30 të nenit 86 të Kushtetutës dhe të lexuar dhe interpretuar në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës. (i) Afati për zgjedhjen e Presidentit të ri në rastin kur Presidenti aktual është në mandat kushtetues dhe Kuvendi është i konstituuar dhe funksional.
Gjykata në vijim do të elaborojë çështjen e afatit të zgjedhjes së Presidentit, kur Presidenti aktual është me mandat kushtetues dhe Kuvendi është i konstituuar dhe funksional. Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton që në paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës përcaktohet që zgjedhja e Presidentit duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Ky afat, i përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës së Kosovës, është një normë materiale kushtetuese me karakter detyrues. Thënë këtë, Gjykata konsideron që nga kjo dispozitë rrjedh qartë që afati për zgjedhjen e Presidentit/es të ri/re ka karakter detyrues dhe si rrjedhojë e kësaj çdo dispozitë tjetër që ndërlidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit duhet të interpretohet në harmoni dhe ndërlidhje me këtë afat.
Gjykata thekson se afati i specifikuar me paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës siguron që procedura për zgjedhjen e Presidentit të fillojë dhe të përfundojë në kohë, duke shmangur kësisoj krijimin e një vakumi institucional, atij të Presidentit të Republikës dhe duke siguruar që Presidenti i zgjedhur menjëherë pas përfundimit të mandatit të
Presidentit aktual të fillojë me ushtrimin e funksionit dhe të kompetencave të përcaktuara me Kushtetutë.
Në vijim, dhe ndërlidhur me përcaktimin në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës, Gjykata vlerëson se përfundimi i afatit për zgjedhjen e Presidentit, i përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 86, duhet të lexohet dhe interpretohet në ndërlidhje me këtë dispozitë. Sipas interpretimit të përbashkët të këtyre dy dispozitave kushtetuese, procedura për zgjedhjen e Presidentit — e cila nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë — duhet të përfundojë jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Si rrjedhojë, Gjykata vlerëson se procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë, duke përbërë kohëzgjatjen maksimale të këtij procesi. Në të njëjtën kohë, Kushtetuta përcakton se Presidenti duhet të zgjedhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Këto dy afate janë të ndërlidhura, në atë mënyrë që procedura duhet të zhvillohet brenda kufirit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh dhe të përfundojë me zgjedhjen e Presidentit jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.
Kësisoj, nëse Kuvendi ka pasur në dispozicion gjashtëdhjetë (60) ditë për të zhvilluar procedurën e zgjedhjes së Presidentit para hyrjes në afatin tridhjetë (30) ditor, afat ky kur Presidenti i ri duhet zgjedhur dhe zgjedhja e tij nuk realizohet, atëherë aktivizohet nënparagrafi 3 i paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës, dhe Kuvendi shpërndahet “ex constitutione.” Zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda dyzet e pesë ditësh (45) ditësh, nga dita e shpërndarjes së Kuvendit.
Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se në rastin kur ka një president aktual, mandati i të cilit është në përfundim e sipër, dhe njëkohësisht Kuvendi është i konstituuar dhe funksional, paragrafi 2 i nenit 86 ndërlidhur me nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës përcaktojnë që procedura për zgjedhjen e tij/saj e cila nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtëdhjetë (60) ditë dhe duhet të fillojë përpara dhe të përfundojë jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Në këtë drejtim, Gjykata vlerëson se qëllimi i Kushtetutës, në kontekst të parimeve kushtetuese që ndërlidhen me funksionimin e institucioneve kushtetuese dhe ndarjen e pushteteve është që të sigurojë vazhdimësinë e institucionit të Presidentit, duke garantuar që 31 zgjedhja e Presidentit të kryhet brenda një afati të qartë dhe pa ndërprerje të mandatit aktual.
Në vijim të këtij vlerësimi, Gjykata vë në dukje që përtej afateve të përcaktuara me paragrafin 2 të nenit 86 ndërlidhur me nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës, dispozitat procedurale për zgjedhjen e Presidentit janë të përcaktuara me paragrafët 4, 5 dhe 6 të nenit 86 të Kushtetutës, përmes të cilëve përcaktohet që procedura për zgjedhjen e Presidentit mund të zhvillohet deri në tri (3) raunde. Specifikisht, paragrafët 4 dhe 5 të nenit 86, të Kushtetutës saktësojnë se kandidati që merr të paktën votat e 2/3 (dy të tretave) të të gjithë deputetëve të Kuvendit në raundin e parë ose në raundin e dytë, ose të paktën votat e shumicës të të gjithë deputetëve të Kuvendit në raundin e tretë, do të zgjedhet Presidenti i Republikës së Kosovës”.

