Tash e sa vite të drejtat e veteranëve, invalidëve dhe dëshmorëve të luftës po shkelen, duke u mohuar atyre të drejtën për të marrë pensionin kontribut pagues, si dhe atë luftës.
Në lidhje me këtë Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Demokraci Plus (D+) kanë kërkuar nga Ministria e Financave dhe institucionet përkatëse të marrin masa urgjente për të rregulluar kornizën ligjore dhe për të garantuar se të drejtat e qytetarëve për përfitim nga dy skemat pensionale respektohen në përputhje me vendimet gjyqësore dhe me të drejtat kushtetuese.
Ata theksuan se e drejta për të marrë dy pensione është një e drejtë themelore e njeriut, e cila është e njohur edhe në vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, theksoi se kjo problematikë është identifikuar që në vitin 2018, kur institucioni i tij kishte rekomanduar ndryshimin e ligjit për skemat pensionale për të shmangur kufizimin e të drejtave të dyfishta.
“Avokati i popullit në vitin 2018 ka dal me një raport, me rekomandime ku i ka kërkuar qeverisë, ministrive përkatëse të ndryshohet ligji për skemat pensionale ku përfshihen edhe kategoritë e pensioneve, si pasojë e luftës për arsye se ky ligj ka një kufizim dhe ndalon gëzimin e të drejtave të dyfishta. Pra, nëse t’i gëzon një pension të pleqërisë nuk mund, ta gëzosh edhe pensionin e invalidit të luftës- veteranit, familjarit të dëshmorit, viktimave civile të luftës e kështu me radhë”, ka thënë ai.
Avokati i Popullit ka thënë se shkelja në këtë çështje qëndron në atë që pensionet e rregulluar me ligj nuk e kanë bazën e njëjtë, përderisa pensioni i pleqërisë ka një bazë në ligjin për pensionet mbi moshën 65 vjeçare, pensionet tjera janë njohje dhe kontribute.
Ai tha se si shkak i kësaj, administrata pensionale e Kosovës tash e sa vite ka detyruar qytetarët të heqin dorë nga njëri prej pensioneve, duke u krijuar një zgjedhje të padrejtë mes mundësive për të marrë përfitime.
“Natyrshëm pastaj autoritetet, administrata pensionale e Kosovës për momentin kur qytetari paraqitet para tyre për të gëzuar pensionin e dytë e detyron që të heq dorë nga njëri. Pra, kërkon nga qytetari që të zgjedh se cilin pension do ta gëzoj. Ku ekziston shkelja, ekziston në atë që pensionet e rregulluara me ligj nuk e kanë bazën e njëjte, përderisa pensioni i pleqërisë ka një bazë në ligjin për pensionet mbi moshën 65 vjeçare, pensionet tjera janë njohje dhe kontribute, ose satisfaksion moral dhe material që u jepet familjeve, personave të cilët kanë pësuar si pasojëe luftës”, ka thënë Qelaj.
Ndërsa, Marigona Berisha, zyrtare e projekteve në Demokraci Plus (D+), prezantoi një raport që nxjerr në pah sfidat me të cilat përballen qytetarët në këtë drejtim, bazuar në dy raste të monitoruara në gjykata.