Kushtrim Ibrahimi, aktualisht Drejtor i Shërbimeve Publike, Infrastrukturës dhe Banimit në Komunën e Gjilanit, ka shpallur kandidaturën e tij për Asamblenë Komunale në zgjedhjet e ardhshme lokale. Ai do të garojë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, me numrin 13, përkrah kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Në një deklaratë publike, Ibrahimi ka theksuar se rruga e tij politike ka nisur si aktivist i Vetëvendosjes, më pas si zyrtar komunal dhe së fundmi në krye të një prej drejtorive më të rëndësishme në komunë. Sipas tij, gjatë mandatit janë realizuar projekte të rëndësishme infrastrukturore dhe janë adresuar probleme të cilat, siç shprehet ai, “për vite të tëra kishin mbetur të harruara”.
“Kur ka punë, vullnet dhe besim, çdo pengesë kthehet në sukses për qytetarët tanë”, ka deklaruar Ibrahimi, duke shtuar se objektivi i tij është të përmbyllen projektet e nisura dhe të hapen rrugë për nisma të reja zhvillimore që do ta përmirësojnë më tej jetën në Gjilan.
Ai ka bërë thirrje për mbështetje ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit aktual të komunës, Alban Hyseni, duke nënvizuar se përparimi i qytetit varet nga bashkëpunimi dhe angazhimi i të gjithëve.