Kushtrim Kadriu dhe Lëvizja Vatra kanë zyrtarizuar bashkëpunimin e tyre me Lëvizjen Vetëvendosje në Gjilan, duke u bërë pjesë e koalicionit qeverisës në këtë komunë. Lajmi është konfirmuar nga vetë Kadriu, i cili deklaroi për Radio Star se tashmë është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ky zhvillim vjen pas një periudhe katërvjeçare në të cilën Kadriu ishte ndër kritikuesit më të zëshëm të kryetarit të komunës, Alban Hyseni, duke vepruar si pjesë e opozitës. Megjithatë, pas zgjedhjeve të fundit lokale, Kadriu arriti të fitojë një ulëse në Asamblenë Komunale, çka hapi rrugën për një ripozicionim politik.
Bashkimi me Lëvizjen Vetëvendosje u konkretizua sot, kur Kadriu votoi pro kandidates për Asamble Komunale, Krenare Latifi Kqiku, duke dëshmuar publikisht përfshirjen e tij në koalicionin e ri.
Ky koalicion shënon një kapitull të ri politik për Lëvizjen Vatra dhe për vetë Kushtrim Kadriun, duke ndryshuar raportet e deritanishme politike në Gjilan dhe duke sjellë një konfigurim të ri të shumicës në Asamblenë Komunale./Radio Star/










