Kushtrim Ymeri ka mbrojtur me sukses gradën e tij akademike në Gjermani.
Tema e tij hulumtuese, “Trauma në mesin e fëmijëve dhe adoleshentëve refugjatë në Gjermani”, trajton një nga sfidat më të ndjeshme të kohës moderne, duke hedhur dritë mbi ndikimin psikologjik të përvojave të dhunshme dhe migrimit te moshat e reja.
Ky studim vjen si rezultat i një pune të thelluar shkencore dhe një përkushtimi të palëkundur për të adresuar çështje me rëndësi sociale dhe njerëzore.
Statusi i plotë:
Shumë të nderuar kolegë dhe miq, të dashur familjarë,
sot kam përfunduar studimet në drejtimin Pedagogjia Sociale – Bachelor of Arts (B.A.) në Universitetin e Shkencave të Aplikuara „Diploma Hochschule“, qyteti Nordhessen në Gjermani.
Faleminderit Zotit për mundësinë, familjen time për mundin dhe përkrahjen e parezervë, mentorin tim, Prof. Dr. Winfried Trieb dhe ata që gjatë këtyre viteve më kanë mbështetur në çfardo mënyre.
Tema e punimit shkencorë për marrjen e kësaj grade akademike është „Trauma në mesin e fëmijëve dhe adoleshentëve refugjatë në Gjermani. Konzeptet dhe Metodat e Shkencave Sociale“
Motivi për përpunimin e kësaj teme lidhet ngushtë me luftën e fundit në Kosovë.
Përvoja ime dhe familjes sime dhe shumë familjeve të tjera nga Kosova si refugjat lufte nga terrori Serb, ishte e tmerrshme për secilin dhe sidomos fëmijët.
Edhe në ditët e sotme shumë njerëz ndodhen në atë situatë për shkak të luftrave, andaj kjo temë mbetet tejet aktuale.
E kam përzgjedhur këtë temë sepse kam dashur, që sado në formë simbolike të përmend vuajtjet e gjata të pupullit tim, lavdinë e sakrificën gjatë luftrave dhe sukseset nga koha e pasluftës.
Me kalimin e viteve, njeriu fillon dhe kalitet e nganjëhere nuk e dëshpërojne shumë të këqijat dhe as e gëzojne aq shumë e shpejtë të mirat.
Mirepo sot, nuk kam si të mos e ndjej e pranoj, se ky sukses, ma ka shuar atë pandjeshmëri të panatyrshme, dhe më ka gezuar shumë.
Nuk mund të them nëse ky është një libër kopertinat e të cilit tashme janë mbyllur, vetem një kapitull i tij që ka përfunduar, apo është një teater ku perdet mund të hapen e mbyllen varësisht nga ajo që njeriu dëshiron e shfaqë nga vetja.
Duke e lënë anash modestinë e tepërt, më duhet të them se nuk ka qenë aspak e lehtë të arrij këtu ku jam sot. Gjatë këtij rrugëtimi kam hasur në vështërsi të shumta dhe nga më të ndryshmet, por kam vazhduar gjithnjë duke besuar se vullneti dhe forca brenda nesh janë shume më të mëdha se nga ajo që mendojmë, përqëndrimi i plotë vetëm në gjërat që kanë rëndësi si dhe këmbëngulja e hekurt, e paguajnë qmimin e suksesit.