Kohët e fundit, janë bërë modë, sondazhet e publikuara para zgjedhjeve. Sjelljet njerëzore nuk mund të parashikohen lehtë, pasi që vetë parashikimet ndikojnë sjelljen. Pra, sjelljet e votuesve mund të ndikohen nga vetë krijimi i opinionit publik prej masmedieve, por në anën tjetër, kjo krijon edhe rezistencë nga votuesit, duke bërë një rizgjim të fortë dhe kandidatët e pafavorizuar në sondazhe, të korrin fitore të pabesueshme. Kjo shkakton edhe një gjë tjetër: kandidatët që fitojnë në sondazhe, janë të vetëkënaqur bashkë me votuesit e tyre dhe pasivizohen, duke ia dhënë fitoren e sigurt kandidates së pafavorizuar.
Sondazhi i fundit në emisionin “Kush e fiton Gjilanin?”, në TV Dukagjini, në emisionin “Debat plus” nga Ermal Panduri, më shumë se parashikim, është përpjekje për krijim të perceptimit publik për kandidatin fitues të partisë së favorizuar politike. Në pyetjen: “Nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel dhe do të ishin kandidatët e mëposhtëm, cilin prej tyre do ta votonit?”, pyetja merr karakter sugjestiv, pasi që nuk bëhet fjalë për “kandidatet” si Leonora Morina-Bunjakun nga radhët e PDK-së në Gjilan dhe e vetmja grua kandidate, por për kandidatët burra/meshkuj.
Ky është një gabim elementar që paraqitet në pyetjet sugjestive në sondazhe, e të cilat sipas profesionistëve, duhen të mos jenë kurrë pjesë e pyetjeve diskriminuese për ndonjërën nga alternativat e dhëna. Në këtë rast, votuesit kanë votuar vetëm për kandidatët burra, por jo për kandidaten grua, Leonora Morina-Bunjakun.
Zgjedhjet e 17 Tetorit do të tregojnë edhe shumë gabime dhe tendenca të tjera që u paraqitën në sondazhin e mbrëmshëm në RTV Dukagjin. Tek e fundit, nëse PDK ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë televizion për shkak të pozicionit të njëanshëm dhe favorizues ndaj LVV-së, duke shkelur parimin e medias objektive, rezultatet e tilla edhe priteshin në një media të tillë.
Dhe një aspekt tjetër me rëndësi është edhe “ushtria virtuale” e Lutfi Hazirit dhe Alban Hysenit, të cilët kanë fuqi të madhe politike, duke i detyruar të përcjellin çdo sondazh fizik e virtual, pasi që janë me pushtet lokal e qendror dhe kanë fuqi për të motivuar anëtarët e tyre të jenë aktiv kudo ku ka sondazhe, por vullneti i qytetarëve nuk ndërrohet në kutitë e televizioneve, por në kutitë e votimeve.