Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën udhëheqjen e Krenare Latifi-Kqikut, në seancën e sotme, ka miratuar propozim vendimet për emërimin e anëtarëve të Komisionit Komunal të Aksionarëve NPL “Tregu”, “Stacioni i Autobusëve” dhe “Eco-Higjiena”, sikur edhe propozim vendimin për zgjedhjen e 3 anëtarëve të Kuvendit të Komunës në Kuvendin e Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).
Opozita (LDK-PDK), kanë lëshuar sallën, pasi nuk u pajtuan me propozimet e grupit të LVV-së, sa i kërket katër emrave të propozuar për Asociacionin e Komunave të Kosovës, duke kërkuar përfaqësim të tri partive më të mëdha në AKK.
Kuvendarët e Gjilanit kanë miratuar, po ashtu, edhe propozim vendimin për themelimin e grupit punues për hartimin e planit të punës së Kuvendit, propozim vendimin për themelimin e Komiteteve të Kuvendit, ndërkaq kanë miratuar edhe listën e veçantë të pronave komunale për dhënien në shfrytëzim për vitin vijues, të cilën e ka arsyetuar Eljesa Rashiti, drejtoreshë për Kadastër, e propozim vendimin për lirimin e përkohshëm të pagesës së gjobës komunale për regjistrime të mëvnoshme të lindjes dhe vdekjes, të cilën e ka arsyetuar drejtori i Administratës, Elbasan Shabani.
Gjatë seancës së të enjtes, Kuvendi ka miratuar edhe kërkesën për aprovimin dhe vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera për vitin 2025, sikurse edhe propozim vendimin për themelimin e KKSB-së.
Për më tepër, në këtë seancë, kanë dhënë betimin edhe katër anëtarët e rinjë të Kuvendit, Albulena Hajdari, Laurant Shabani, Hekuran Rapuca e Ali Selimi, të cilët i zëvendësojnë Kushtrim Ibrahimin, Bajram Isufin, Mimoza Kadriu Qerimin e Isa Agushin, pasi këta të fundit u emëruan në pozita të drejtorëve komunalë.
Në seancën III të Kuvendit të Gjilanit kanë kontribuar në debat edhe asambleistët, Shpend Nuhiu, Arianit Sadiku, Arbër Ismajli, Gentrit Murseli, Bujar Nevzati, Besnik Shala, Nazim Gagica, Burhan Isufi, Malikie Hoxha, Sami Ahmeti, Gresa Avdiu e Fitim Guda.

