Kuvendarët e Gjilanit kanë vendosur ta shtyjnë seancën e sotme për një datë tjetër, e cila do të caktohet ndërkohë, për shkak të mungesës së transmetimit online të saj, pasi që operatorit të deritashëm i ka skaduar kontrata.
Kryesuesi i Kuvendit, Kushtrim Kadriu, tha se kontrata e transmetimit të seancave ka skaduar, ndërsa pajisjet e Kuvendit janë në defekt, prandaj për hir të transparencës me publikun, seanca e sotme shtyhet dhe për vazhdimin e saj do të njoftoheni me kohë.
Përndryshe, në rend dite të kësaj seancë, e dyta me radhë për këtë vit, ishin propozim-vendimi për lejimin e këmbimit të pronave komunale me pronat e shtetërore, propozim-vendimin për caktimin e lokacionit për ndërtimin e Qendrës Rajonale për patentë-shofer, propozim-vendimi për subvencionimin e shtesave për lehona, ndryshim-plotësimi i vendimit për emërimin e Komisionit për shqyrtimin e kërkesave dhe ankesave në procesin e emërtimit të rrugëve dhe numërimit të adresave, formimi i komisionit rekrutues për përzgjedhjen e drejtorëve dhe zv/drejtorëve në IEAA, formimi i komisionit për plotësim ndryshimin e rregullores për ndarjen e bursave, raporti i suksesit të nxënësve në gjysme vjetorin e parë të vitit shkollor 2023/2024, propozim-vendimi për ndryshimin dhe plotësimin në KKSB, ndryshimi dhe plotësimi i vendimit për emërimin e këshillit komunal për vlerësimin e meritave historike e shoqërore të personaliteteve dhe ngjarjeve nga territori i komunës së Gjilanit, tërësia etnike shqiptare dhe më gjerë si dhe shfuqizimi i planit për Integritet Komunal 2023-2027.