Me 28 vota për dhe dy abstenime, Kuvendi Komunal i Gjilanit, nën udhëheqjen e Shpresa Kurteshi Eminit, ka miratuar propozim vendimin për lejimin e këmbimit të pronës së paluajtshme me pronën e paluajtshme të Shoqatës së Gjahtarëve “Agim Ramadani” nga Gjilani për nevoja të rrethrrotullimit të të ashtuquajturës “Rruga e Kumanovës”, e paraparë me PRRU “Kodra e Thatë”, por pa parcelën 20/92.
Harmonizimi i qëndrimeve për ta votuar në mënyrë unanime këtë propozim vendim erdhi pas ndërhyrjes së nëkryetarit, Arbër Ismajli, i cili kërkoi një pauzë për shefat e grupeve, me ç’rast u dakorduan që parcela 20/92, në të cilën ndodhen tri shtëpi private, të hiqet sepse dyshohet se është pronë e uzurpuar.
Drejtori i Kadastrit, Sadudin Berisha, ka theksuar se nuk do të lejohet në asnjë mënyrë që të parcelizohet ajo pjesë ku besohet se është pronë e uzurpuar, ndërkaq shefat e grupeve opozitare, Nevzad Isufi (VV), Riza Abdyli (PDK), asambleisti Shefik Surdulli (PDK) dhe Mimoza Kadriu (Nisma Socialdemokrate), kanë përshëndetur këtë sqarim dhe ujdinë e arritur, duke thënë se opozita po ndihmon që të mos bëhen gabime.
Po ashtu, me 20 vota për dhe 3 kundër, Kuvendi ka miratuar edhe Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2019-2021 për vitin fiskal 2019 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2019-2021.
Drejtori për Buxhet dhe Financa, Zijadin Maliqi, tha se kjo po bëhet në mënyrë që Ministria përkatëse të caktoj kufijtë buxhetor, ndërsa ka pohuar se nga të hyrat vetanake parashihet të ketë rritje për vitin 2019 për 3.7 për qind krahasuar me vitin paraprak, për vitin 2020 – 3.4 për qind dhe për vitin 2021 – 3.3 për qind.
Përkrahje të plotë KAB-it i ka dhënë pozita, Fitim Guda (LDK), e Ibish Ibishi (AAK) dhe Riza Avdyli, shef i PDK, i cili theksoi se ndihet mirë që vërejtjet e tyre janë marrë në konsideratë, duke i dhënë prioritet fushës së arsimit, kurse kritika ka paraqitur shefi i Grupit të Këshilltarëve të Vetëvendosjes, Nevzad Isufi, lidhur me fazën e konsultimit me publikun.
Ndërkohë, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar edhe rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për mënyrën dhe kushtet e shfrytëzimit të stadiumit të futbollit, rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për mënyrën dhe kushtet e shfrytëzimit të palestrës së sporteve “Bashkim Selishta-Petriti”, sikur edhe kërkesën e banorëve të rrugës “Beqir Musliu” dhe “Ibrahim Uruqi” në lagjen “Dardania” lidhur me shtratin e lumit “Mirusha”.
Gjatë ditës, para kuvendarëve të Gjilanit janë paraqitur edhe raportet e punës për vitin 2017 nga ana e Komisioneve të Aksionarëve të KRM “EcoHigjiena”, të Ndërmarrjes Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve” dhe Ndërmarrjes Publike Lokale “Tregu” nga ana e Xhelal Jetishit e Avdyl Jerliut, ku pas debatit pozitë-opozitë, janë miratuar me shumicë votash.
Po ashtu, asambleistët e Gjilanit kanë miratuar edhe propozimin e Gentrit Murselit (LDK) për zgjatjen e orarit të punës për një orë për kafeteritë dhe restorantet përgjatë këtyre dy muajve sa qëndrojnë bashkatdhetarët në vendlindje.
Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, ka përkrahur këtë nismë, por është zotuar se do të ketë kontrollë të vazhdueshme të zhurmës nga ana e inspektorëve komunal.
Përndryshe, pyetjeve të shumta dhe interesimeve të ndryshme të asambleistëve, Gentrit Murseli (LDK), Arta Haziri Nuhiu (AAK), Nehat Osmani (VV), Arjeta Rexhepi (VV), Burim Berisha (LDK), Nevzad Isufi (VV), Riza Abdyli (PDK) Xhelal Harullahu (VV), Arianit Sadiku (VV) e Bujar Nevzadi (PDK), i është përgjitur nëkryetari i Komunës, Arbër Ismajli dhe drejtorët komunal.