120 deputetë të pranishëm në sallën e Kuvendit kanë votuar pro që Komisioni i njëjtë të jetë ai që do të përpilojë raportin e ri për verifikimin e mandateve dhe kuorumit të deputetëve.
Komisioni ka gjysmë orë kohë për përpilimin e tij, raporton Gazeta Express.
“Konstatojmë se 120 deputetë të gjithë janë për Komisionin e njëjtë, lus anëtarët e Komisionit për 30 minuta të mblidhen dhe të përpilojnë raportin e ri të Komisionit për verifikimin e mandateve dhe të kuorumit”, tha kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari.
Ai paraprakisht njoftoi se gjatë takimit konsultativ që ka pasë me pëfaqësues të partive politike janë pajtuar që me votë unanime të votohet raporti në Komision dhe në seancë që të mund të zhbllokohet situata që nisi të martën kur filloi seanca konstituive.
“Jemi të pranishëm 120 vetë mund të vazhdojmë me seancën konstituive që është ndërprerë dy herë radhazi. Kemi ardhur të gjithë në përfundim se jemi të pajtimit që me votë unanime të votohet raporti në Komision dhe në seancë që të mund të vazhdojmë tutje. Është propozuar në këtë takim që të autorizohet ose Komisioni i përkohshëm i njëjti ose nëse nuk pajtoheni që i njëjti komision duhet të zgjidhen anëtarë të tjerë që do të përpilojnë raport të ri”, tha Dehari.
Sot po vazhdon seanca që nisi të martën e në të cilin s’u votua pika e parë e rendit të ditës për verifikimin e mandateve të deputetëve, e cila do t’i hapte rrugë betimit të deputetëve të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës.