Kuvendi i Komunës së Gjilanit, nën drejtimin e Kushtrim Kadriut, kryesues, ka vazhduar sot seancën e pestë, e cila për mungesë kuorumi kishte dështuar disa herë të mbahej.
Me 18, përkatësisht 19 vota për dhe një abstenim, Kuvendi ka refuzuar propozimin për shfuqizimin e tri vendimeve që kanë të bëjnë me plotësimin dhe ndryshimin e kushteve ndërtimore në nën zonën e Bllokut “B3” në kuadër të Planit Rregullues Urban “Kodra e Thatë”, në zonën e Bllokut “B4” në kuadër të Planit Rregullues Urban “Kodra e Thatë” dhe në zonën e Bllokut “I” në kuadër të Planit Rregullues Urban “Livadhet e Arapit”, të cilat ishin rikthyer në Kuvend për anulim, si të kundërligjshme.
Në të vërtet, pikërisht këto tri vendime u bënë shkas për prishjen e koalicionit qeverisës, pasi PDK kishte kërkuar më shumë kohë për konsulta rreth këtyre pikave, para se të vendoste për votimin ose jo të tyre, përderisa LDK kishte kundërshtuar me arsyetim se nuk ekzistonte asnjë arsye për t`i anuluar, meqë ato ishin miratuar në Kuvend dhe tashmë ishin duke u zbatuar.
Kryetari i Komunës, Alban Hyseni ka thënë se të gjitha vendimet e kundërligjshme e që deri tani janë 16 të tilla, do të sillen në Kuvend për shfuqizim.
Ai i ka sqaruar edhe rrethanat të cilat kanë sjellë deri te kjo situatë, përfshirë edhe procedurat që janë ndërmarrë lidhur me këto vendime, duke thënë se nuk do të tërhiqet nga beteja ligjore, ndonëse betejën politike në Kuvend nuk mund ta bëjë më, meqë tani këtu ka një shumicë të re.
“Beteja fillimisht ka qenë politike, por tashmë nuk ka betejë politike. Për mua si ekzekutiv, beteja politike në Kuvend ka marrë fund, sepse nuk kam fuqi më këtu, nuk kam votë më, por tash ka arsyeshmëri, ka ligj që supozohet secili prej nesh me respektua dhe secili prej nesh duhet me marrë përgjegjësi për shkelje të tij”, ka thënë kryetari Hyseni.
Heqjen e këtyre pikave nga rendi i ditës, kryetari Hyseni e ka cilësuar tentativë për t`i ikur përgjegjësisë.
Kushtrim Kadriu, kryesues i Kuvendit, ka thënë se diskutimi për këto pika ka përfunduar në seancat e kaluara dhe se tani është momenti për votim e tyre.
Përndryshe, Kuvendi ka miratuar edhe pikat tjera të seancës së pestë: Plani komunal për integritet 2023/2027, projekt statuti i Teatrit të qytetit, projekt statuti i Galerisë së arteve, projekt rregullorja për shfrytëzimin e sallës së madhe të Teatrit të qytetit, projekt rregullorja për punën e Këshillit drejtues të Teatrit të qytetit si dhe pika të tjera.