Në shënim të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë, të dielën, më 27 nëntor, në orën 10:00, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë në Tiranë do të mbahet mbledhje e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Në këtë mbledhje deputetëve do t’u adresohen kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Mbledhja do të vijojë me fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe fjalimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Një fjalë përshëndetëse do të mbajnë edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Në shënim të këtij përvjetori do të mbahen edhe aktivitete të tjera kulturore, thuhet në njoftim. /Zëri