Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan për herë të 25-të të konstituojnë këtë institucion legjislativ.
Altina Marmullaku
02.06.2025 11:07
Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituohet edhe në tentativën e 25-të.
Në seancën e së hënës morën pjesë 104 deputetë, ndërsa seanca e radhës është caktuar për të mërkurën, në orën 11:00.
Që nga betimi i deputetëve më 19 prill, seanca ka ngecur pikërisht në pikën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Fillimisht, votimi për kryetare të Kuvendit, për kandidaten e LVV-së, Albulena Haxhiu, u zhvillua në mënyrë të hapur, por ajo nuk arriti asnjëherë të sigurojë votat e nevojshme për këtë pozitë.
Më pas, si zgjidhje, LVV-ja propozoi formimin e një komisioni për votim të fshehtë – propozim që vazhdon të dështojë, ndërkohë që partia insiston në këtë opsion.
Kryetari i partisë që fitoi më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare, Albin Kurti, konfirmoi se në disa raste ka takuar kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, për të biseduar lidhur me formimin e institucioneve, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Sipas tij, takimet me “Komandant Çelikun”, siç e quajti ai, janë zhvilluar në një atmosferë ku është “rritur besimi”, “rritur mirëbesimi” dhe “vullneti për të bashkëpunuar”.
Ndërsa javën e kaluar Kurti deklaroi se “Albulena Haxhiu nuk është as pyetje e as pikëpyetje”, duke lënë të kuptohet se LVV-ja nuk ka ndërmend ta ndryshojë kandidaten për kryetare të Kuvendit.
Ndërkaq, në takimin e zhvilluar mes presidentes Vjosa Osmani dhe liderëve të partive politike, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, u shpreh se Kurti kishte thënë në takim se “nuk ka ndonjë urgjencë për formimin e institucioneve”.
Osmani deklaroi se, nëse situata vazhdon kështu, nga java e ardhshme do të takohet ndarazi me secilin lider partie.
Nëse as pas këtyre takimeve nuk gjendet zgjidhje, Osmani ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.