Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, e shpërndarë dy ditë më parë, ka kushtuar rreth dy milionë euro për paga deputetësh dhe stafit politik, pa miratuar asnjë vendim nga prilli deri në shpërndarje.
Nga 15 prilli deri në fund të tetorit, për pagat e deputetëve janë shpenzuar 1.37 milionë euro, ndërsa për asistentët e tyre 571 mijë euro. Gjatë kësaj periudhe, Kuvendi ka mbajtur vetëm një seancë konstituive dhe disa përzgjedhje, por nuk ka miratuar asnjë vendim.
Edhe për 20 ditët e mbetura të nëntorit, deputetët do të marrin paga, një shpenzim që ende nuk është reflektuar në raportin financiar. Sipas ligjit, çdo deputet ka të drejtë të marrë një kompensim kalimtar prej 1.914 eurosh për 12 muaj pas përfundimit të mandatit, që për një vit i kushton buxhetit 22.968 euro. Nëse nuk punojnë ose dalin në pension, 120 ish-deputetë mund të ngarkojnë shtetin me rreth 3 milionë euro, pa llogaritur asistentët dhe benefitet tjera.










