Kuvendi Komunal sot ka mbajtur seancë solemne për ndarjen e mirënjohjes për fotografin Arian Mavriqi.
Në këtë seancë të pranishëm ishin, Kryetari i Komunës Qëndron Kastrati, nënkryetari Faton Jakupi, ish Ambasadorja në ShBA Vlora Çitaku, deputetja Eliza Hoxha, asmableistët si dhe OJQ-të.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati, në këtë seancë ka thënë se fotografi Arian Mavriqi me punën dhe pasionin e tij për fotografinë dhe për botën e egër, e ka vendosur Kamenicën në hartën e vendeve të bukura të Kosovës me florë e faunë të pasur.
“Ai ka promovuar rëndësinë e ekosistemit si dhe ka edukuar masën përmes një mediumi atraktiv sic është fotografia. Ariani është shembull i qytetarit i cili me vullnetin e madh, angazhimin e pashoq ka arritur të realizojë vetveten përmes një profesioni shumë fisnik. Sikur të gjithë do të kishim përkushtimin dhe dashurinë për profesionin sikur Ariani, vendi jonë do të ishte edhe më i mirë nga ç’është, dhe shoqëria jonë do të ishte edhe më e përparuar nga ç’është. Prandaj, sot, përmes kësaj mirënjohje, ndër të tjera, dërgojmë mesazhin tek të rinjtë e të rejat që puna e mirë, angazhimi i ndershëm dhe pasioni për vendin njihet dhe shpërblehet”, është shprehur ai.
Kryetari Kastrati ka falënderuar ish Ambasadorën Çitaku për pjesëmarrje në këtë seancë solemne.
“Dua të falënderoj znj. Çitaku që na ka nderuar me prezencën e saj në këtë ceremoni, dhe për promovimin që ia ka bërë punës së Arianit në vazhdimësi si ambasadore e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”,ka thënë ai.
Në anën tjetër ish Ambasadorja Vlora Çitaku tha se përmes fotografive të Arianit u ka treguar njerëzve nëpër botë imazhin e Kamenicës dhe të Kosovës.
“Jam shumë e nderuar që sot jam bashkë me ju. Arianin e kam njohur përmes fotografisë ku ua kam sjell njerëzve imazhin e Kosovë dhe Kamenicës në botë. Ariani ka bërë shumë në dokumentimin e trashëgimisë kulturore nëpër botë, dhe veprat e tij i kam ndarë me miqtë e mi , të cilët më kanë thënë që presin me padurim ta vizitojnë Kamenicën”, ka thënë ajo.
Ndërsa fotografi Arian Mavriqi duke falënderuar të pranishmit ka thënë se kjo legjislaturë ka qenë mbështetja më e madhe për të dhe pasionin e tij fotografinë.
“U jam mirënjohës të gjithëve që më keni mbështetur që unë të jem këtu. Falë mbështetjes suaj unë si artist kam ecur përpara, dhe mbështetja më e madhe më ka ardhur nga ambasadorja Çitaku, ku kam filluar të njihem jashtë kufijëve të Kosovës. Kam marr edhe çmime ndërkombëtare, dhe e gjithë kjo falë kontributit tuaj. Kjo legjislaturë ka qenë mbështetja më e madhe që nga vitit 2012 ku edhe merrem me fotografi”, u shpreh ai.